Francë: Mbi 1 miliard euro dëme nga protestat pas vrasjes së një të riu.     /Foto: Reuters

Dëmet nga protestat e zhvilluara në Francë, pas vrasjes së një të riu nga policia, vlerësohen në mbi 1 miliard euro.

Ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve vazhdoi edhe në natën e gjashtë të protestave të cilat filluan në Francë pasi policia vrau një të ri.

Sipas mediave franceze, deri më tani përreth Parisit janë arrestuar 17 persona në natën e gjashtë të protestave që filluan pasi i riu Nahel M. u vra nga policia në qytetin Nanterre më 27 qershor.

Kreu i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve Francezë (MEDEF), Geoffroy Roux de Bezieux tha se protestat kanë shkaktuar një dëm mbi 1 miliard euro.

Ai theksoi se 200 dyqane janë plaçkitur plotësisht, 300 degë të bankave janë shkatërruar plotësisht dhe se nga protestat janë prekur 250 dyqane që tregtojnë duhan.

Protestat e dhunshme në Francë

Policia franceze më 27 qershor në qytetin Nanterre hapi zjarr ndaj një automjeti në të cilin ndodheshin 3 persona dhe vrau 17-vjeçarin, Nahel M., drejtuesin e automjetit.

Personat që kanë reaguar ndaj vdekjes së Nahel M. kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme në gjithë vendin dhe janë përleshur me policinë.

Polici i cili qëlloi të riun u pezullua nga detyra dhe u vendos të gjykohet nën masën e arrestit.

Gjithashtu, në protestat e mbajtura në shumë qytete, përfshirë Parisin, Marsejën dhe Lionin ndodhën plaçkitjeve ndërsa në rreth 10 qytete u shpall orë policore për ndalimin e daljes në rrugë që nga ora 21:00.


TRT Balkan / agjencitë