Xhamia e cila ishte përgatitur të hapte dyert për lutje gjatë këtij Ramazani në qytetin Wattignies, në veri të Francës, është dëmtuar ndjeshëm nga persona të panjohur.
Xhamia, e cila u ndërtua në kuadër të Fondacionit "El Emel", u sulmua gjatë fundjavës nga një person ose grup personash të paidentifikuar, njoftuan mediat kombëtare.
Si pasojë e sulmit, ambientet e brendshme të xhamisë, përfshirë tavanet, janë bërë të papërdorshme dhe shihet se autorët kanë prerë më parë kabllot elektrike në objekt për të pamundësuar aktivizimin e alarmit dhe kamerave.
Megjithatë, në këtë xhami, e cila po përgatitej të hapte dyert për falje gjatë Ramazanit, nuk u vodh asgjë, si dhe kanë nisur hetimet për sulmin.
Kryebashkiaku i Wattignies, Alain Pluss, tha se besonte se sulmi ishte një akt islamofobik.
“Dënoj fuqishëm këtë vandalizëm islamofobik në Wattignies që ka kaluar kufijtë e tolerancës”, shkroi në Twitter deputeti francez David Guiraud.
Përfaqësuesit e Fondacionit gjithashtu deklaruan se mënyra se si është kryer sulmi tregon se ai ishte i planifikuar.