Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, planifikon të udhëtojë në Uashington, pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjNP) për krimet e luftës në Gaza, thanë mediat izraelite të hënën.
Radioja e ushtrisë izraelite tha se Gallant do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të sigurisë amerikane gjatë vizitës së tij. Nuk është dhënë asnjë datë për vizitën e planifikuar.
Të enjten, GjPN-ja lëshoi urdhërarreste për Gallant dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Sipas rregullores së GjPN-së, ajo nuk zhvillon gjykime në mungesë, ku të pandehurit duhet të jenë fizikisht të pranishëm në mënyrë që çështja të fillojë.
Duke qenë se gjykata me bazë në Hagë nuk ka polici për të zbatuar urdhrat e saj, ajo varet nga shtetet e saj anëtare për t'i zbatuar urdhrat e saj. Shtëpia e Bardhë tha të enjten se refuzon urdhrat e arrestit të GjPN-së për Netanyahun dhe Gallant.
Urdhëresat erdhën pasi ofensiva gjenocidale e Izraelit në Gaza kohët e fundit hyri në vitin e saj të dytë, duke vrarë tashmë mbi 44.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme dhe të qëllimshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke e shtyrë popullsinë në prag të urisë.