Gjermanët po i kthehen drurit për ngrohjen e shtëpive.     Foto: Reuters 

Në Gjermani po përjetohet një kthim drejt drurit si burim për ngrohje, ndërsa furnizuesit në gjithë vendin po raportojnë rritje të shitjeve pasi kostot e ngrohjes zmadhohen për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike.
Vitet e fundit, afërsisht gjysma e shtëpive të Gjermanisë ngroheshin me gaz natyror dhe 25 për qind përdornin naftë ngrohjeje, ndërsa më pak se 6 për qind dru zjarri.
Por, tani furnizuesit e lëndës së parë kanë vështirësi t’i përmbushin kërkesat, gjë që ka çuar në një mungesë të drunjve të zjarrit. Në fillim të kësaj vere, Shoqata Federale e Drunjve të Zjarrit të Gjermanisë tha se tregu kishte shitur të gjitha furnizimet.
Heike, një gjermane e cila jeton me familjen e saj të re në Berlin, po ashtu ka kaluar në dru për ngrohje këtë dimër.
Përdorimi i gazit nuk është më efikas ekonomikisht, pasi çmimet pothuajse janë dyfishuar në të gjithë vendin.
Heike thotë se ka parë një rritje të numrit të njerëzve që përdorin pelet druri për ngrohje.
"Unë do të thosha se sistemet alternative të ngrohjes po bëhen gjithnjë e më të njohura tani, gjë që mund të nënkuptojë gjithashtu kthimin tek druri, i cili është një lloj burimi që po rritet vazhdimisht. Dhe edhe nëse e hiqni atë nga pylli, ai rirritet. Prandaj, mendoj se mund të jetë një alternativë", shprehet Heike.
Druri për ngrohje është një plan rezervë në rast se Gjermanisë i mbaron gazi në dimër. Tashmë ekziston frika se gazi do të racionohet për përdorim industrial në dimër.
Kërkesa është aq e lartë, saqë shumica e furnizuesve kanë ndaluar marrjen e porosive në korrik për pjesën tjetër të vitit. Disa po përpiqen të rreshtojnë dërgesat për dimrin e ardhshëm edhe pse çmimi i drurit gjithashtu është dyfishuar, por mbetet shumë më i ulët se ai i sistemeve të ngrohjes me gaz ose elektrike.
Ndërsa furnizimi me dru po bëhet i vështirë, disa njerëz po shkojnë për prerje në pyjet pranë shtëpive të tyre, thotë Heike.
"Unë kam parë tashmë njerëz që shkojnë në pyll dhe presin dru atje për të ngrohur shtëpitë e tyre. Mendoj se kjo do të jetë e ardhmja jonë ose të paktën e ardhmja e afërt sepse ne nuk e dimë se sa do të vazhdojë kjo krizë dhe nëse sistemi i ngrohjes do të ndryshohet atëherë. Por edhe sigurimi i sistemeve më të reja të ngrohjes tani është vërtet i vështirë sepse askush nuk mund të furnizojë asgjë", thekson ajo.
Ndërsa depozitat evropiane të gazit mbushen, çmimet vazhdojnë të bien në tregun "spot", por konsumatorët gjermanë nuk po përfitojnë nga çmimet më të lira.
Gazi tregtohej me 350 euro për megavat-orë në gusht në bursën holandeze TTF, por ai ra në rreth 92 €/MWh të martën, prapëseprapë më shumë se dy herë më i lartë se vitin e kaluar.
Vetëm klientët e rinj do të kenë shanse të përfitojnë nga rënia aktuale e çmimeve, sipas ekspertëve të tregut. Konsumatorët ekzistues dhe të furnizimit bazë nuk mund të presin rënie të çmimeve.
Për konsumatorët në Gjermani, lufta është reale, dhe shumë njerëz tani po përgatiten për atë që është cilësuar si një dimër i ftohtë i errët.
"Kam dëgjuar nga shumë miq që po luftojnë me të njëjtin problem. Disa prej tyre janë të lumtur që kanë një furrë të cilën mund ta përdorin, ndërsa të tjerët jo dhe thjesht nuk dinë si ta menaxhojnë gjithë dimrin me sistemin që përdorin. Është me të vërtetë një luftë e madhe për të gjithë ne, dhe nuk e dimë se si do të jetë dimri. Do të jetë kohë e vështirë mendoj", shtoi Heike.

AA