Aeroporti Berlin-Brandenburg i Gjermanisë anuloi rreth 300 fluturime sot pasi stafi i sigurisë filloi një grevë njëditore që lidhet me mosmarrëveshjet e vazhdueshme rreth pagave dhe kushteve të punës.
Greva filloi në orën 3:30 të mëngjesit me kohën lokale (01:30 GMT) dhe do të vazhdojë deri në mesnatë (2200 GMT), sipas sindikatës "ver.di".
“Për shkak të grevës paralajmëruese të stafit në kontrollet e sigurisë së aviacionit, sot nuk është e mundur të realizojmë asnjë nisje”, thuhet në deklaratën e operatorit të aeroportit.
“Gjithashtu, mund të ndikohen edhe fluturimet e mbërritjes nga anulimet, ndërsa mund të ndodhin edhe ndryshime në orarin e fluturimeve për shkak të grevës paralajmëruese”, shton deklarata.
Pasagjerët u këshilluan të kontaktojnë kompanitë ajrore ose agjencitë e udhëtimit për informacione lidhur me rezervimin dhe opsionet alternative të udhëtimit.
Sindikata, e cila organizoi disa greva javën e kaluar në aeroportet e tjera kryesore, po kërkon rritje pagash për punë jashtë orarit dhe pagesa shtesë për punën gjatë fundjavave, festave publike dhe gjatë ndërrimeve të natës.
Në raundin e fundit të negociatave në fillim të këtij muaji midis sindikatës dhe Shoqatës Federale të Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk u arrit ndonjë përparim i rëndësishëm.
Raundi i ri i negociatave pritet të zhvillohet më 27 dhe 28 prill.