Gjermani, sulmet ndaj refugjatëve u dyfishuan vitin e kaluar.   /Foto: AA

Numri i sulmeve ndaj azilkërkuesve dhe qendrave të refugjatëve në Gjermani pothuajse është dyfishuar në vitin 2023, sipas shifrave të bëra publike sot.

Policia gjermane ka regjistruar 2.378 sulme që kanë synuar refugjatët vitin e kaluar, nga 1.248 sulme të regjistruara në vitin 2022, sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Brendshme. Të paktën 219 persona janë plagosur në ato sulme, shumica e të cilave janë kryer nga ekstremistët e krahut të djathtë.

Autoritetet janë përgjigjur dhe kanë hetuar të paktën 180 sulme ndaj strehimoreve të refugjatëve, shifra më e lartë që nga viti 2017. Në vitin 2022, ishin regjistruar 70 sulme kundër objekteve të strehimit të refugjatëve.

Shifrat e fundit u zbuluan nga Ministria e Brendshme, në përgjigje të pyetjeve parlamentare nga Partia e Majtë dhe u publikuan nga e përditshmja "Neue Osnabrucker Zeitung". Gjermania ka dëshmuar një rritje të ksenofobisë dhe urrejtjes kundër migrantëve vitet e fundit, e nxitur nga propaganda e grupeve neonaziste dhe e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Gjermania pranoi më shumë se 1,2 milion refugjatë në vitin 2022. Shumica dërrmuese e tyre ishin ukrainas që u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015, Gjermania mirëpriti më shumë se 1 milion refugjatë, shumë prej tyre sirianë që kishin ikur nga lufta civile në vendin e tyre.

AA