Rregullatori i energjisë gjermane të hënën u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë më shumë gaz pasi temperaturat ranë nën 0 gradë celsius në shumë pjesë të vendit.
"Aktualisht, kursimet totale janë vetëm 13 për qind”, tha për të përditshmen Tagesspiegel Klaus Muller, kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit Bundesnetzagentur.
Muller tha se familjet duhet të reduktojnë konsumin e gazit me 20 për qind për të shmangur mungesat në muajt e ardhshëm.
"Është e rëndësishme që ne të mos heqim dorë nga përpjekjet e kursimeve gjatë gjithë dimrit”, theksoi Muller.
Gjermania po përballet me një krizë të madhe energjetike për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka çuar në ndërprerje në furnizimin me gaz, duke bërë që çmimet e energjisë të arrijnë nivele rekord.
Edhe pse Gjermania arriti të mbushë objektet e depozitimit të gazit në 95 për qind javën e kaluar, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk garanton se nuk do të ketë racionalizim të konsumit të gazit ose ndërprerje të energjisë në muajt e ftohtë të dimrit.
Tubacioni Nord Stream 1, burimi kryesor i gazit rus në Gjermani, u shkatërrua pas një shpërthimi në shtator dhe vendi aktualisht nuk importon gaz nga Rusia.
Para fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia furnizonte 55 për qind të gazit natyror që i nevojitej Gjermanisë.
Qeveria gjermane po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror duke blerë më shumë gaz nga Norvegjia dhe duke rritur importet përmes tubacioneve nga Belgjika dhe Holanda.
Për të zëvendësuar furnizimin me gaz rus në vitet e ardhshme, Gjermania po ndërton terminale LNG në portet veriore të Brunsbutel, Wilhelmshaven, Stade dhe Lubmin.