Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të hënën se BE-ja ka kapacitetin për t'u kundërpërgjigjur ndaj tarifave amerikane.
Duke folur në Bruksel përpara takimit të parë të liderëve të BE-së, kushtuar ekskluzivisht mbrojtjes, Scholz tha se tema e bashkëpunimit BE-ShBA do të ishte një temë intensive diskutimi.
"Si ShBA-ja dhe Evropa përfitojnë nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve. Nëse politikat tregtare e bëjnë këtë më të vështirë, do të jetë keq për të dyja," tha ai.
Scholz nënvizoi aftësinë e BE-së për të reaguar ndaj tarifave të ShBA-së.
"Ajo që është e qartë është se si një rajon i fortë ekonomik, ne mund të formojmë politikat tona në përgjigje të tarifave, me vetë tarifat tona. Kjo është diçka që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë. Qëllimi në fund të fundit duhet të jetë të vazhdojmë në një rrugë që të çon në bashkëpunim”.
Duke përmbushur një premtim të fushatës elektorale, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të shtunën, për të vendosur një tarifë 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe një tarifë 10% për importet nga Kina.
BE-ja tani po përgatitet për luftën e saj tregtare.
Të dielën mbrëma, Trump u tha gazetarëve se do të vendoste “detyrimisht” tarifa për mallrat evropiane.
"Mund t'a them këtë, sepse ata me të vërtetë kanë përfituar, ju e dini, ne kemi mbi 300 miliardë dollarë deficit," tha Trump. "Bashkimi Evropian, është një mizori ajo që ata kanë bërë."
Marrëdhëniet tregtare BE-ShBA
Kreu i Unionit Kristian Demokrat (CDU) Friedrich Merz, shprehu shqetësime për tarifat e mundshme të ShBA-së ndaj BE-së gjatë kongresit të partisë së tij të hënën, duke paralajmëruar se tarifat nuk kanë qenë kurrë një mënyrë e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare.
Merz tha se tarifat e Trump do të dëmtonin përfundimisht konsumatorët amerikanë.
"BE-ja duhet të hyjë në negociata me ShBA-në si një front i bashkuar," tha ai.
Kërcënimet tarifore të Trump-it vijnë përpara zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani.
Qeveria e koalicionit tripartiak u rrëzua nëntorin e kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin dhe masat e rimëkëmbjes ekonomike.
Gjermania do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 23 shkurt. Një nga çështjet kryesore në fushatë është ekonomia në vështirësi.
Ekonomia gjermane u tkurr për vitin e dytë radhazi në 2024.
Pas tkurrjes me 0,2% në tremujorin e fundit të 2024, ekonomia përballet me një recesion teknik nëse vazhdon të tkurret në tremujorin e parë të 2025.