Gjermania dënoi të mërkurën sulmin e një grupi terrorist të PKK-së ndaj misionit diplomatik të Türkiyes në qytetin perëndimor të Hanoverit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christian Wagner në një konferencë për shtyp në Berlin është shprehur se e dënon këtë akt në termat më të ashpër të mundshëm.
“Dhuna e çfarëdo lloji nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe kjo vlen edhe për misionet e huaja në Gjermani, të cilat janë nën mbrojtje të veçantë”, theksoi ai.
Wagner tha gjithashtu se Ministria e Jashtme Gjermane është në kontakt me autoritetet turke për këtë çështje.
“Shpresojmë që autorët të identifikohen shpejt dhe të sillen para drejtësisë”, shtoi ai.
Të martën në mbrëmje, pas një demonstrate pro PKK-së në Hannover, një numër i konsiderueshëm ndjekësish të PKK-së u përpoqën të thyenin xhamat e ndërtesës së Konsullatës së Përgjithshme të Türkiyes në qendër të qytetit.
Sulmi në konsullatë pasoi aktet e dhunës nga mbështetësit e PKK-së në ditët e fundit në Belgjikë, u shënjestruan edhe dyqane dhe qendra kulturore të komunitetit turk.
PKK-ja, e klasifikuar si organizatë terroriste "etno-nacionaliste" nga agjencia e zbatimit ligjor të BE-së, Europol, është e ndaluar në Gjermani që nga viti 1993.
Megjithatë, ajo mbetet aktive në vend me afro 14.500 ndjekës në mesin e popullsisë emigrante kurde, sipas agjencisë gjermane të inteligjencës së brendshme BfV.
Türkiye i ka kërkuar prej kohësh aleatit të saj në NATO, Gjermanisë, që të ndërmarrë veprime më të forta kundër PKK-së, duke theksuar se grupi terrorist e përdor vendin si një platformë për aktivitete rekrutimi, propagande dhe mbledhje fondesh.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve.