Gjermania dhe Franca shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me udhëheqësit e rinj në Siri, duke u bazuar në respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave etnike e fetare.
Në një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, thuhet se kancelari Olaf Scholz ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron për t'i diskutuar zhvillimet në Siri.
Të dy liderët kanë rënë dakord për të mbështetur një qasje që prioritizon të drejtat e njeriut dhe garantimin e sigurisë për pakicat në vend.
Në bisedë të dy liderët theksuan rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Sirisë dhe ranë dakord të punojnë së bashku për ta forcuar angazhimin e Bashkimit Evropian (BE) në Siri, duke përfshirë mbështetjen e një procesi politik gjithëpërfshirës në Siri.
Scholz dhe Macron mirëpritën fundin e regjimit të Bashar Asadit në Siri dhe konfirmuan edhe një herë se Asadi i shkaktoi vuajtje të mëdha popullit sirian dhe i shkaktoi dëme të mëdha vendit të tij.
Të dy liderët transmetuan se në koordinim të ngushtë me partnerët e vendeve të tyre në Lindjen e Mesme, do të diskutojnë edhe për rrugën që do të ndiqet në të ardhmen.