Gjermania të enjten i bëri thirrje Rusisë që t'i mbyllë bazat e saj ushtarake në Siri dhe t'i tërheqë trupat e saj nga vendi.
Tobias Lindner, koordinatori gjerman për Sirinë, i tha revistës së lajmeve Der Spiegel se Rusia duhet ta respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
“Kur themi se integriteti territorial i Sirisë duhet të jetë i pacenueshëm, atëherë kjo vlen për të gjithë aktorët, dhe veçanërisht për Rusinë. Bazat ruse në Siri duhet të mbyllen dhe Rusia duhet të tërheqë trupat e saj”, tha Lindner.
“Presidenti rus Vlladimir Putin ka mbështetur regjimin e Asadit dhe kështu ka bërë luftë kundër popullit sirian. Sirianët kanë më shumë se kujtime të dhimbshme për këtë,” shtoi ai.
I pyetur për marrëveshjet ekzistuese dypalëshe që sigurojnë bazat ushtarake të Rusisë në Siri, Lindner tha: “Marrëveshjet mund të ndërpriten. Por, sigurisht, vendimi u takon vetë sirianëve.”
Lindner theksoi se prania ushtarake ruse në Siri ka implikime më të gjera për sigurinë evropiane.
“Rusët janë atje që të mund të operojnë në Mesdhe, në Libi dhe në Afrikë”, tha ai, duke shtuar se “Rusia është kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane për të ardhmen e parashikueshme”.