Parlamenti i Gjermanisë ka miratuar një rezolutë të diskutueshme antisemitiste për të cilën kritikët argumentojnë se do të zhdukë çdo kritikë ndaj Izraelit.
Mocioni jodetyrues, i titulluar “Kurrë më nuk është tani: Mbrojtja, ruajtja dhe forcimi i jetës hebreje në Gjermani”, u miratua me vota në parlament, me mbështetjen e koalicionit në pushtet, respektivisht të socialdemokratëve (SPD) dhe të Gjelbërve, si dhe partive opozitare si Unioni Kristian Demokrat (CDU), Demokratët e Lirë Liberal dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Ndërkohë, Aleanca Sahra Wagenknecht për Mirëkuptim dhe Drejtësi (BSW) votuan kundër mocionit, ndërsa Partia e Majtë abstenoi.
Mocioni, i cili dënon incidentet antisemitiste në rritje të vendit, thekson se Gjermania mban një përgjegjësi të veçantë në luftën kundër antisemitizmit si rezultat i Holokaustit të epokës naziste.
“Ne duhet ta tërheqim vëmendjen ndaj antisemitizmit, të paralajmërojmë kundër tij dhe të qëndrojmë me zë të lartë dhe të dukshëm kundër tij”, thotë mocioni.
Mocioni i bëri thirrje qeverisë gjermane të forcojë jetën hebreje në vend duke e mbajtur të gjallë kujtimin e Holokaustit, duke mbështetur vendet përkujtimore dhe duke inkurajuar aktivitetet edukative.
Mocioni gjithashtu ndalon financimin publik për çdo organizatë ose projekt që promovon antisemitizmin, që vë në pikëpyetje të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, që bën thirrje për bojkot të Izraelit ose mbështet në mënyrë aktive lëvizjen Bojkot, Reduktim dhe Sanksione (BDS).
Sipas mocionit, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten nga sulmet që shkelin të drejtën ndërkombëtare në kuadër të ligjit ndërkombëtar. Ai po ashtu i bën thirrje qeverisë gjermane që të vazhdojë të mbrojë në mënyrë aktive ekzistencën e shtetit të Izraelit dhe interesave të tij legjitime të sigurisë si një parim themelor i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë.
Ndërkohë, shumë organizata të shoqërisë civile dhe intelektual, duke përfshirë studiues të shquar hebrenj, e kanë kritikuar mocionin, duke paralajmëruar se ai mund të shkelë të drejtat themelore si të shprehjes së lirë, grumbullimit të lirë, lirisë së shkencës dhe lirisë artistike.