Gjermania mohon se ndihmon “gjenocidin” e Izraelit në Gaza        / Foto: AA

Gjermania ka mbrojtur mbështetjen e saj politike dhe ushtarake për luftën e Izraelit në Gaza dhe ka hedhur poshtë pretendimin e Nikaraguas se po ndihmon “gjenocidin” kundër palestinezëve.

Duke iu drejtuar gjykatës më të lartë të OKB-së në Hagë, diplomatja gjermane, Tania von Uslar-Gleichen, tha se çështja e Nikaraguas kundër Gjermanisë ka marrë një pikëpamje “të njëanshme” të konfliktit.

“Ajo (Nikaragua) nuk arrin të vlerësojë siç duhet faktet dhe ligjin në këtë situatë. Gjermania i hedh poshtë me vendosmëri akuzat e Nikaraguas”, tha Uslar-Gleichen, duke pretenduar se Berlini po vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar kur ofron ndihmë për Izraelin.

Duke paraqitur mbrojtjen e vendit të saj përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Uslar-Gleichen, argumentoi se eksportet e armëve të Berlinit në Izrael ishin të përshtatshme dhe janë dorëzuar pas një shqyrtimi të detajuar.

“Gjermania furnizon me armë vetëm në bazë të një kontrolli të detajuar, një kontroll që jo vetëm respekton, por edhe tejkalon shumë kërkesat e ligjit ndërkombëtar”, tha ajo, duke shtuar se Berlini po merr parasysh “kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet Izraeli” derisa miraton eksportet e armëve.

Berlini miratoi eksportet e armëve në Izrael në vlerë prej 326,5 milionë eurosh në vitin 2023, shifër e cila shënon një rritje dhjetëfish krahasuar me vitin 2022 dhe shumica e të cilave u miratuan pas 7 tetorit.

Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ekipi ligjor i Gjermanisë u përpoq ta bindë gjykatën se Berlini nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar me mbështetjen ndaj Izraelit dhe se vendi po përmbush detyrimet e saj humanitare.

Eksperti ligjor, Christian Tams, hodhi poshtë pretendimin e Nikaraguas se duke ndërprerë fondet për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) Gjermania po ua kthen shpinën viktimave palestineze dhe po ndihmon mbulimin e mizorive të kryera nga Izraeli.

"Gjermania nuk e ka tërhequr mbështetjen financiare për UNRWA-në. U desh një vendim i përkohshëm për të mos miratuar fonde të mëtejshme për operacionet e UNRWA-s në Gaza," i tha ai gjykatës, duke argumentuar se Gjermania mbetet një nga donatorët më të mëdhenj të ndihmës humanitare për palestinezët në territoret e pushtuara.

Ai gjithashtu u përpoq të minimizojë rëndësinë e mbështetjes ushtarake të Gjermanisë për Izraelin, duke pretenduar se një pjesë e madhe e dërgesave të fundit nuk ishin armë lufte, por sisteme mbrojtëse ose municione për qëllime stërvitore, të cilat nuk ishin të përshtatshme për operacione luftarake.

Tams konfirmoi se disa nga kërkesat e Izraelit aktualisht ishin në shqyrtim nga autoritetet gjermane, të tilla si municione precize 120 mm për ushtrinë izraelite.

“Ne e kemi verifikuar këtë dje me ministrinë gjermane. Bazuar në informacionin që kam marrë, mund të konfirmoj se Izraeli iu drejtua qeverisë gjermane në vitin 2023 për municione tankesh, ky aplikim është duke u shqyrtuar, asnjë licensë nuk është miratuar”, tha Tams në gjykatë.

Nikaragua nisi procedimet kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Berlinin për ndihmë të “gjenocidit” në Gaza duke ofruar mbështetje politike dhe ushtarake për Izraelin.

Dje, gjatë një seance dëgjimore, Nikaragua kërkoi nga gjykata të lëshojë masa urgjente që Gjermania të ndalojë eksportet e saj të armëve në Izrael dhe të anulojë vendimin e saj për pezullimin e fondeve për UNRWA-në.

Pasi delegacioni gjerman përfundoi argumentet e tij, gjyqtari Nawaf Salam përfundoi seancën dyditore dhe tha se gjykata së shpejti do të shpallë vendimin e saj mbi kërkesën e Nikaraguas për masa urgjente.

“Gjykata do të marrë vendim për kërkesën për caktimin e masave të përkohshme sa më parë. Data në të cilën ky urdhër do të dorëzohet në seancën publike të gjykatës do t’u komunikohet në mënyrë të rregullt palëve”, tha ai.

Gjermania mbetet një nga mbështetësit më të fortë të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, pavarësisht presionit në rritje të publikut. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vazhdimisht ka thënë se Gjermania mban përgjegjësi të veçantë për Izraelin për shkak të historisë së tij naziste.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit, i udhëhequr nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Më shumë se 33.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe afër 76 mijë të tjerë janë plagosur.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

TRT Balkan / agjencitë