Gjermania mund të përballet me mungesë gazi në janar dhe shkurt.     Foto: AA

Shefi i Agjencisë Federale të Rrjetit, Kllaus Muller, tha se kursimet e energjisë për familjet dhe bizneset ishin të pamjaftueshme dhe mbetën vetëm 5 për qind nën konsumin e vitit të kaluar.
“Ndoshta nuk do të na duhet të japim alarmin në tekst dy ose tri javë. Por, kjo nuk mund të vazhdojë kështu gjatë gjithë janarit dhe shkurtit”, tha ai për të përditshmen Suddeutsche Zeitung.
Muller theksoi se familjet dhe bizneset gjermane duhet të ulin konsumin e gazit me 20 për qind për të shmangur mungesat në muajt e ardhshëm.
Ai paralajmëroi se rreziku i një dimri më të ftohtë, rritja e kërkesës për gaz në vendet fqinje dhe aktet e mundshme të sabotimit kundër strukturës së energjisë, mund të çojnë në mungesë gazi në vend.
Gjermania, e cila është ekonomia më e madhe e BE-së, po përballet me një krizë të rëndë energjetike për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, e cila çoi në ndërprerje në furnizimin me gaz dhe i shtyu çmimet e energjisë në nivele rekord.
Edhe pse vendi ka arritur të mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit në 90 për qind që nga java e kaluar, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk garanton se nuk do të ketë racionizim të gazit ose ndërprerje të energjisë elektrike në muajt e ftohtë të dimrit.
Objektet e magazinimit gjithashtu kanë nevojë për një rrjedhje të vazhdueshme të gazit nga tubacionet për të mbajtur presion të mjaftueshëm.
Qeveria gjermane po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror duke blerë më shumë gaz nga Norvegjia dhe duke rritur importet përmes tubacioneve nga Belgjika dhe Holanda.
Për të marrë mjaft gaz natyror të lëngshëm për të zëvendësuar plotësisht gazin rus në vitet e ardhshme, Berlini po ndërton gjithashtu terminale LNG në portet gjermane veriore të Brunsbuttel, Stade dhe Lubmin.
Që nga shpërthimet në tubacionet nënujore Nord Stream në shtator, Gjermania nuk ka importuar gaz nga Rusia.
Para fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt, Rusia furnizonte Gjermaninë me gati 55% të gazit natyror.

AA