Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) dënoi të premten urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të gjykatës.
“Gjykata qëndron fort pranë personelit të saj dhe zotohet të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në gjithë botën, në të gjitha situatat përpara saj”, thuhet në njofitimin e GjNP-së.
“Ne u bëjmë thirrje 125 shteteve tona palë, shoqërisë civile dhe të gjitha kombeve të botës që të qëndrojnë të bashkuar për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në njoftim.
Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që sanksionon GjNP-në dhe e akuzoi atë për "veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin".
Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant përballen me urdhërarreste të lëshuara nga gjykata me bazë në Hagë në nëntor të vitit të kaluar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.