Biden në impiçment, si funksionon procesi dhe kush e kaloi më parë? / Foto: Reuters

Përderisa thirrja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, për nisjen e një impiçmenti ndaj presidentit amerikan Joe Biden, shkaktoi që kjo çështje sërish të hyjë në rend dite në vend, shkarkimi i një presidenti në ShBA kërkon një proces të gjatë.

Pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump u përball dy herë me impiçment gjatë detyrës së tij "të stuhishme" në ShBA, këtë herë në rend dite është impiçmenti ndaj Bidenit.

Republikanët pohojnë se impiçmenti ndaj Trumpit është "politike". Më parë kishin deklaruar shpesh herë se do të fillonin një impiçment ndaj Bidenit në rast se fitonin shumicën në Kongres.

Republikanët, në zgjedhjet afatmesme të mbajtura më 8 nëntor 2022, fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa ndaj tyre u krijua një presion që të nisin një impiçment ndaj Bidenit.

Së fundmi më 12 shtator, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy tha se Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë pretendime "serioze dhe të besueshme" ndaj Bidenit ndërsa procesi impiçmentit do të zhvillohet së bashku me Komisionin për Drejtësi, Mbikëqyrje dhe Rregullim Financiar, që së fundmi punon mbi pretendimet lidhur me Bidenin.

Djali i Bidenit, Hunter Biden, akuzohet se ka përdorur ndikimin e babait të tij në aktivitetet e biznesit.

Republikani McCarthy duke deklaruar se ky vendim, të cilin ai nuk e mori lehtë, nuk ka të bëjë me partinë e tij. "I bëj thirrje Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të fillojë hetim zyrtar për shkarkimin e presidentit Biden për abuzim me pushtetin", tha ai.

McCarthy pretendon se Biden abuzoi me pushtetin gjatë detyrës si nënpresident dhe se djali i tij Hunter Biden përdori ndikimin e babait të tij për të fituar privilegje në aktivitetet e biznesit.

Ai pohon se gjatë presidencës së Bidenit "familja e tij ka marrë trajtim special", duke theksuar se "Populli amerikan duhet të dijë se zyrat publike nuk janë në shitje".

McCarthy lidhur me Bidenin tha se gjenden pretendime për "Abuzim të pushtetit, pengim të drejtësisë dhe korrupsion".

Si vijon procesi i impiçmentit?

Anadolu përpiloi informacionet lidhur me ish-presidentët amerikanë që janë përballur me procesin e impiçmentit dhe si vijon procesi i impiçmentit në ShBA.

Kushtetuta e ShBA-së lejon që presidenti të shkarkohet nga detyra nëse ai gjykohet dhe shpallet fajtor. Por, deri më tani në historinë e vendit asnjë president nuk u shkarkuar në këtë mënyrë.

Sipas kushtetutës, një president që "demonstron tradhti, ryshfet dhe krime të tjera të mëdha dhe sjellje të pahijshme" mund të ndiqet penalisht. Për këtë proces, në hapin e parë të paktën një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve aplikon te Komiteti i Drejtësisë. Në rast se kërkesa në komitet pranohet, drafti i përgatitur hidhet në votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Drafti duhet të marrë votën e shumicës së anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse shumica absolute voton pro, procesi kalon në Senat. Kur dosja arrin te Senati, anëtarët e Senatit shërbejnë si juri, kreu i Gjykatës së Lartë kryeson procesin gjyqësor dhe një grup kongresistësh në Dhomën e Përfaqësuesve shërbejnë si prokurorë. Ndërkaq, presidenti ka avokat mbrojtës.

Në fund të procesit gjyqësor zhvillohet votimi në Senat. Në këtë votim, nëse dy të tretat e Senatit prej 100 vendesh (të paktën 67 anëtarë) e shpallin fajtor presidentin amerikan, presidenti shkarkohet nga detyra. Me shkarkimin, detyrën e presidentit e merr përsipër zëvendëspresidenti.

Biden në dizavantash në Dhomën e Përfaqësuesve, avantazh në Senat

Për momentin në Dhomën e Përfaqësuesve janë 222 Republikanë, ndërsa 212 Demokratë. Sipas kësaj situate, është e sigurt se dosja e impiçmentit ndaj Bidenit do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por, në Senat gjenden 49 Republikanë, 48 Demokratë dhe 3 senatorë të pavarur. Nëse merret parasysh se edhe senatorët të pavarur do të veprojnë së bashku me Demokratët, mund të thuhet se Demokratët që posedojnë shumicën në Senat janë në avantazh.

Andrew Johnson, presidenti i parë që hyri në procesin e impiçmentit

Presidenti i parë në historinë e ShBA-së, për të cilin në rend dite erdh shkarkimi nga detyra dhe gjykimi ishte Andrew Johnson, në periudhën 1865-1869.

Demokrati Johnson, pas luftës civile në Amerikë e shkarkoi nga detyra ministrin e Luftës, republikanin Edwin Shanton. Dhoma e Përfaqësuesve e përshkroi sjelljen e Johnsonit si një "shkelje të ligjeve federale" dhe e dërgoi çështjen në Senat.

Në mënyrë që Johnson të shkarkohej nga detyra, 36 senatorë duhej të votonin se presidenti ishte fajtor, por ky numër mbeti në 35 dhe Johnson vazhdoi detyrën.

Clinton, presidenti i dytë i cili u përball me impiçment

Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, lidhja e të cilit me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky, u zbulua në vitin 1998, iu nënshtrua procesit të impiçmentit me akuzat për gënjeshtër dhe pengim të drejtësisë, pavarësisht betimit të tij presidencial.

Procesin e impiçmentit të Clintonit e nisën Republikanët të cilët e kishin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve atëherë. Megjithatë, pasi shumica e dy të tretave të kërkuara për shkarkimin nuk u arrit në Senat, Clinton vazhdoi detyrën e tij.

Nixon dha dorëheqje në procesin e impiçmentit

Një impiçment tjetër në historinë e vendit ndodhi në vitet 1970-ta. Me shfaqjen e skandalit "Watergate" ndaj presidentit të atëhershëm republikan Richard Nixon filloi procesi gjyqësor me pretendimet për "sabotim të demokratëve, mashtrim të gjyqësorit dhe errësim të provave".

Përderisa mundësia e shkarkimit të tij u rrit, Nixon dha dorëheqjen derisa procesi gjyqësor ishte në vazhdim.

Trump u përball dy herë me impiçment

Donald Trump, 4 vitet e të cilit në detyrë ishin "të stuhishme", u bë presidenti i katërt amerikan që u përball me impiçment në historinë e vendit dhe presidenti i parë i ShBA-së që u përball me hetim të shkarkimit dy herë radhazi.

Në impiçmentin e nisur kundër tij nga Demokratët në shtator 2019, Trump u akuzua për përpjekje për ta detyruar Ukrainën për të hapur hetime ndaj kandidatit demokrat Joe Biden, në bisedën e tij telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në korrik 2019.

Trump, i cili u akuzua për dy nene të impiçmentit në Dhomën e Përfaqësuesve në dhjetor 2019 për një periudhë prej rreth 5 muajsh, u lirua nga të dyja akuzat si rezultat i votimit në Senat më 5 shkurt 2020.

Përballja e dytë e Trumpit

Hetimi i dytë ndaj Trumpit erdhi pas bastisjes së Kongresit më 6 janar 2021.

Ai ngarkohej për shkaktim të rebelimit në impiçmentin e përgatitur nga Komiteti i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa u pranua në Dhomë më 14 janar 2021.

Trump, i cili ia la presidencën Bidenit më 20 janar 2021, u lirua nga akuza në votimin e Senatit më 13 shkurt 2021.

AA