Gjykata bllokon urdhrin e Trumpit për shtetësinë e fëmijëve të imigrantëve. / Foto: AA Archive

Një gjykatës federal lëshoi një urdhër paraprak të mërkurën në mbrëmje, duke pezulluar urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump, i cili synonte të heqë të drejtën për shtetësinë me lindje.

Gjykatësja e Gjykatës së Qarkut në Maryland, Deborah Boardman, mori vendimin kundër urdhrit ekzekutiv të Trumpit, i cili synonte të heqë të drejtën për shtetësinë për fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara nga imigrantët pa dokumente dhe ata me viza të përkohshme.

Boardman vendosi se urdhri ekzekutiv i Trumpit do ta shkelte amandamentin e 14-të të Kushtetutës së ShBA dhe do të ishte në kundërshtim me më shumë se një shekull precedentësh të detyrueshëm nga Gjykata e Lartë, si dhe me një traditë prej 250 vitesh të të drejtës për shtetësi me lindje në ShBA.

Në krahasim me një ndalim të mëparshëm të përkohshëm, të lëshuar më 23 janar nga gjykatësi John Coughenour i Gjykatës së Qarkut për distriktin perëndimor të Uashingtonit, i cili duhej të skadonte këtë javë, ndalimi paraprak i gjykatëses Boardman do të mbetet në fuqi deri sa të përfundojë procesi gjyqësor ose një gjykatë më e lartë ta anulojë vendimin.

Disa analistë presin që ky rast të përfundojë në Gjykatën e Lartë të ShBA-së, ku Trumpi dhe presidentët e tjerë republikanë kanë emëruar një shumicë konservatore gjykatësish.

TRT Balkan / agjencitë
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj