Hamasi: Netanyahu kundërshton të gjitha paralajmërimet ndërkombëtare /    Foto: AA

Hamasi ka njoftuar se këmbëngulja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për një sulm tokësor në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës përfaqëson një kundërshtim të hapur ndaj të gjitha paralajmërimeve ndërkombëtare.

“Netanyahu vazhdon të përdorë retorikën fetare për të arritur qëllimet politike, duke nxitur më tej luftën shkatërruese kundër popullit tonë në Rripin e Gazës”, tha Hamasi.

Në deklaratë thuhet se Netanyahu po sfidon hapur të gjitha paralajmërimet ndërkombëtare.

“Synimi i Netanyahut për të kryer një krim në Rafah sfidon të gjitha pozicionet ndërkombëtare që paralajmërojnë kundër çdo operacioni ushtarak në qytet”, shtoi ai.

Netanyahu tha të dielën se ushtria izraelite do të hyjë në Rafah dhe do të arrijë fitoren.

Gjithashtu, në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrit izraelit më 15 mars, u njoftua se Netanyahu miratoi planin për një operacion të mundshëm ushtarak në jug të Rafahut.

Të paktën 32.226 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit, për të cilin Tel Aviv thotë se ka vrarë afro 1.200 njerëz.

Lufta e Izraelit në Gaza ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza.

Armiqësitë, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgesat e ndihmave mbeten të pamjaftueshme për të adresuar katastrofën humanitare.

AA