Bagdadi dhe Ankaraja vazhdojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje për problemin e terrorit të PKK-së, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë kombëtare të dy vendeve, por edhe për Projektin e Rrugës së Zhvillimit.
“Ne definitivisht nuk i gjejmë aktivitetet e tyre (terroriste të PKK-së) të ligjshme dhe të pranueshme”, tha zëvendësministri i Jashtëm irakian Hisham al-Alawi për Anadolu.
Alawi nënvizoi rëndësinë e të kuptuarit të shqetësimeve të njëri-tjetrit dhe të punës së bashku në vend të veprimit të njëanshëm.
“Negociatat janë duke vazhduar për zgjidhjen e problemit të PKK-së. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për sigurinë kombëtare të dy vendeve, por edhe për projekte si Rruga e Zhvillimit”, shtoi ai.
Për zgjidhjen e problemit të PKK-së, ai tha se nuk kanë një model fiks. “Por, ne definitivisht nuk besojmë se do ta zgjidhim këtë problem me veprime të njëanshme”, shtoi ai.
Duke e përshkruar PKK-në si çështje "komplekse", ai tha se prania e PKK-së në Irak është "ilegale".
Në fushatën e saj terroriste gati 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
Projekti i Rrugës së Zhvillimit
Alawi tha se Projekti i Rrugës së Zhvillimit do të kontribuojë jo vetëm për ekonominë e Irakut, por edhe për vendet e rajonit si Türkiye, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Projekti nuk ka të bëjë vetëm me hekurudhat dhe autostradat, por në kuadër të projektit do të ndërtohen edhe qytete industriale, shtoi ai.
"Për të përfituar nga Projekti i Rrugës së Zhvillimit, veçanërisht për Irakun dhe Türkiyen, ne duhet jo vetëm të ndërtojmë infrastrukturën, por edhe të krijojmë mjedisin e duhur në nivel rajonal, si dhe në Irak dhe Türkiye", tha ai.
Duke theksuar se Iraku i kushton rëndësi punës me fqinjët e tij për stabilitetin rajonal, ai tha se vizioni i tyre është të punojnë së bashku për t'u dhënë fund konflikteve dhe luftërave në rajon.
“Nëse nuk ka paqe, ne nuk mund të arrijmë integrimin ekonomik”, tha ai, duke shtuar se të dyja vendet duhet të rrisin diversitetin e tyre tregtar.
Projekti i Rrugës së Zhvillimit përfshin linjat hekurudhore dhe autostrada që shtrihen nga Porti Grand Faw në Basra përmes qyteteve të Diwaniyah, Najaf, Qerbela, Bagdad dhe Mosul deri në kufirin turk, duke synuar të sigurojë qasje nga kufiri turk në portin e Mersinit dhe në vazhdim drejt Evropës nëpërmjet Istanbulit me rrugë.