Iran, del raporti preliminar për rrëzimin e helikopterit me presidentin       / Foto: AA

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura iraniane publikoi të enjten një raport preliminar mbi një hetim të rrëzimit të helikopterit që mbante presidentin Ebrahim Raisi, ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe delegacionin e tyre.

Raporti thekson se informacionet teknike dhe të përgjithshme dhe gjetjet në lidhje me përplasjen janë mbledhur dhe vlerësuar, me disa të dhëna që kërkojnë më shumë kohë për vlerësim, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA.

Sipas vlerësimit paraprak, helikopteri ka vazhduar rrugën e tij të paracaktuar pa ndryshuar rrugën e fluturimit. Piloti ka komunikuar me pilotët e dy helikopterëve të tjerë rreth një minutë e gjysmë përpara rrëzimit.

Raporti tregon se në pjesët e mbetura të helikopterit nuk u gjetën gjurmë zjarri apo dëmtime të ngjashme dhe se helikopteri mori flakë pas rrëzimit.

Terreni i thyer, moti i ftohtë dhe mjegulla në zonë zgjatën operacionet e kërkim-shpëtimit dhe lokacioni i rrëzimit u arrit vetëm në mëngjes.

Në raport thuhet se në komunikimet e kullës së kontrollit me ekuipazhin e fluturimit nuk janë hasur rrethana të dyshimta.

Rezultatet përfundimtare të hetimit do të publikohen pasi të përfundojnë.

Më 19 maj, Presidenti Raisi mori pjesë në një ceremoni përurimi të një dige në kufirin Iran-Azerbajxhan. Duke u kthyer me ministrin e Jashtëm Amir-Abdollahian dhe disa zyrtarë, helikopteri i Raisit u rrëzua.

Me kërkesë të Iranit, Türkiye caktoi një mjet ajror pa pilot AKINCI (UAV) për aktivitetet e kërkimit dhe shpëtimit. Koordinatat e rrënojave të helikopterit të zbuluar nga UAV-të turke u ndanë me autoritetet iraniane.

Ekipet iraniane arritën në vendndodhje dhe nuk raportuan të mbijetuar.

Pas konfirmimit të vdekjes së Raisit, zëvendëspresidenti i parë Mohammad Mokhber u emërua president i përkohshëm, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm Ali Bagheri Kani u emërua ministër i jashtëm i përkohshëm.

TRT Balkan / agjencitë