Irani dhe Arabia Saudite rrikthejnë marrëdhëniet diplomatike pas 7 vitesh.    / Foto: AA

Irani dhe Arabia Saudite ranë dakord për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ndërsjellë të ambasadave pas një ndërprerjeje prej shtatë vitesh.

Sipas televizionit shtetëror iranian, zyrtarët e lartë të sigurisë të Iranit dhe Arabisë Saudite kanë arritur marrëveshje pas nisjes së negociatave me ndërmjetësimin e zyrtarëve kinezë në Pekin më 6 mars për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja e arritur mes Teheranit dhe Riadit pas shtatë vitesh u bë publike nëpërmjet një deklarate të përbashkët nga Irani, Arabia Saudite dhe Kina.

Në deklaratë thuhet se Iran dhe Arabia Saudite janë dakorduar për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen reciproke të ambasadave dhe përfaqësive diplomatike brenda dy muajve.

Në të njëjtën kohë, bëhet e ditur se ministrat e jashtëm të të dyja vendeve do të takohen së shpejti për të koordinuar procesin dhe për të sqaruar detajet.

Marrëdhëniet Iran-Arabi Saudite

Më 2 janar 2016, 47 persona, përfshirë klerikun shiit Nimr al-Nimr, u ekzekutuan me akuza për “terrorizëm” në Arabinë Saudite. Pas deklaratave të autoriteteve iraniane që reaguan ndaj ekzekutimeve, ambasada e Arabisë Saudite në Teheran dhe ndërtesat e konsullatës në qytetin e Mashhadit u dogjën nga protestues në Iran. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, të acaruara tashmë për shkak të krizës në Jemen që filloi në mars 2015, u ndërprenë plotësisht.

Zyrtarët iranianë dhe sauditë u takuan në prill të vitit 2021 në Bagdad për të diskutuar drejtpërdrejt dhe bisedimet vazhduan më pas me ndërmjetësimin e Irakut.

TRT Balkan / agjencitë