Irani liron gazetaren italiane Cecilia Sala / Photo: AP

Gazetarja italiane Cecilia Sala është liruar nga një burg iranian pas tri javësh në paraburgim dhe është rrugës për në Itali.

Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë njoftoi se Sala, e cila u arrestua nga policia e Teheranit më 19 dhjetor derisa raportonte në kryeqytetin iranian, u lirua pas përpjekjeve diplomatike dhe të inteligjencës nga autoritetet italiane.

Sipas zyrës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, "aeropolani që po sjell gazetaren Cecilia Sala në shtëpi u ngrit pak minuta më parë nga Teherani" dhe ajo pritet të mbërrijë në Romë pasditen e sotme.

"Falë punës intensive në kanalet diplomatike dhe të inteligjencës, bashkatdhetarja jonë është liruar nga autoritetet iraniane dhe po kthehet në Itali", tha zyra e kryeministres.

Meloni gjithashtu ndau lajmin për lirimin e gazetares italiane në rrjetet sociale. Ajo shprehu mirënjohje për ata që u përfshinë në sigurimin e lirisë së gazetares Sala duke i "mundësuar të përqafojë familjen dhe kolegët e saj".

Kryeministrja italiane gjithashtu tha se përmes një telefonate ka informuar personalisht prindërit e gazetares për lirimin e saj.

Ndalimi i gazetares italiane ngriti spekulime në mediat italiane për një lidhje të mundshme me arrestimin e inxhinierit iranian Mohammad Abedini, të kapur në aeroportin Malpensa të Milanos më 16 dhjetor, tri ditë para arrestimit të gazetares në Teheran.

Abedini u ndalua me urdhër të ShBA-së.

Lirimi i saj vjen disa ditë pasi Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me presidentin e zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, në rezidencën e tij në Mar-a-Logo.

Kthimi i Salas shënon përfundimin e një përplasjeje të tensionuar diplomatike, me qeverinë e Melonit që mori meritat për negociatat prapa skenave për lirimin e saj.

AA