Kreu i Agjencisë së Energjisë Bërthamore të Iranit, Mohammad Eslami, tha se programi bërthamor i vendit të tij nuk mund të eliminohet me veprime ushtarake ose me sanksione dhe se do të kundërpërgjigjen në mënyrë "të vendosur dhe shkatërruese" ndaj çdo sulmi.
Eslami foli në televizionin Al Jazeera dhe bëri vlerësime lidhur me programin bërthamor të vendit të tij.
"Pas sanksioneve të njëanshme të ShBA-së, Irani ka ndërprerë angazhimet ndaj marrëveshjes. Kthimi prapa i reduktimit të përgjegjësive tona në marrëveshjen bërthamore varet nga heqja e plotë e sanksioneve dhe zbatimi i detyrimeve të tyre nga ShBA-ja dhe palët e tjera në marrëveshje", tha Eslami.
Ai theksoi se kamerat e sigurisë në disa objekte, të cilat janë një prej mundësive të inspektimit shtesë që i ofrohet Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) janë hequr në objektet bërthamore të lidhura me të. Eslami tha se kamerat do të rivendosen në rast se palët e marrëveshjes bërthamore zbatojnë përgjegjësitë e tyre në marrëveshje.
Eslami foli edhe për kërcënimet e sulmit nga ana e Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
"Programi ynë bërthamor nuk mund të eliminohet me veprime ushtarake ose me sanksione. Çdo sulm do të pritet me reagim të vendosur dhe shkatërrues", tha ai.
Më tej, Eslami mbrojti idenë e tij se kërcënimet për sulm ushtarak të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit janë "boshe" dhe se nuk ka fuqi ta bëjë këtë.
"Irani është i gatshëm për bashkëpunim konstruktiv me fqinjët e tij në fushën e energjisë bërthamore", potencoi Eslami i cili shtoi se këtë vit mund të përfundojnë akuzat lidhur me programin bërthamor të vendit të tij të cilat ai i emërtoi si "trazirë politike".