Kapaciteti global i prodhimit të energjisë së rinovueshme është rritur me 9,6 për qind ose 295 gigavatë (GW) vitin e kaluar, e cila në total ka arritur në 3.372 GW, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA)
“Burimet e rinovueshme të energjisë përbënin 83 për qind të gjithë kapacitetit të instaluar elektrik vitin e kaluar”, thuhet në raportin e IRENA-s.
Raporti theksoi se energjia e rinovueshme vazhdon të rritet në nivele rekord, pavarësisht pasigurive globale, duke konfirmuar trendet në rënie të prodhimit të energjisë elektrike me lëndë djegëse fosile.
Drejtori i përgjithshëm i IRENA-s, Francesco La Camera, tha se vazhdimi i rritjes rekorde tregon qëndrueshmërinë e energjisë së rinovueshme në mes të krizës së vazhdueshme të energjisë.
“Megjithatë, shtimet vjetore të kapacitetit të energjisë së rinovueshme duhet të trefishojnë nivelin aktual deri në vitin 2030 nëse duam të qëndrojmë në rrugën e duhur për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius”, tha La Camera.
Raporti zbuloi se në kohë kur kërkesa për energji pritet të rritet në shumë rajone të botës, tranzicioni i energjisë kërkon një ndryshim gradual që sjell zhvendosje strategjike përtej dekarbonizimit të ofertës.
Megjithëse hidrocentralet zënë pjesën më të madhe të kapacitetit total global të gjenerimit të burimeve të rinovueshme me 1.250 GW, energjia diellore dhe ajo e erës vazhdojnë të dominojnë kapacitetin e ri gjenerues.