Italia ka zgjatur kontrollet kufitare me Slloveninë deri në qershor të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi, i cili tashmë ka njoftuar me telefon ministrin e Brendshëm slloven Boshtjan Poklukar dhe kolegun kroat Davor Božinović.
“Si gjithmonë, ne do të zbatojmë masat e kontrollit në atë mënyrë që ato të kenë sa më pak ndikim në trafikun ndërkufitar dhe transportin e mallrave”, siguron Piantedosi në një deklaratë.
Më 21 tetor të vitit të kaluar, Italia rivendosi mbikëqyrjen e përkohshme në kufirin me Slloveninë për shkak të, siç shpjegohet në Romë, situatës së ndryshuar në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Në janar të këtij viti ajo e ka zgjatur edhe për gjashtë muaj, deri më 18 qershor dhe më pas ka vijuar një tjetër zgjatje deri më 18 dhjetor.
Vjeshtën e kaluar, Sllovenia në mënyrë të ngjashme vendosi kontrollin në kufirin e brendshëm të Shengenit me Kroacinë dhe Hungarinë, dhe në dhjetor e zgjati atë deri më 22 qershor dhe më pas për gjashtë muaj të tjerë, deri më 21 dhjetor.