Izraeli mohon se ka marrë "draftin përfundimtar" të marrëveshjes me Hamasin. / Foto: AA Archive

Izraeli të hënën mohoi raportimet mediatike për pranimin e një "drafti përfundimtar" të marrëveshjes për armëpushim në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.

Raportimet mediatike sugjeruan herët të hënën se Katari kishte dorëzuar një draft përfundimtar të marrëveshjes si Izraelit ashtu edhe Hamasit.

Gazeta "Haaretz", duke cituar një burim izraelit, mohoi këto pretendime.

Nga Katari nuk pati ndonjë koment mbi raportin.

Një burim i njohur me negociatat i tha gazetës se si Izraeli ashtu edhe Hamasi janë "shumë afër marrëveshjes", pa dhënë detaje të tjera.

Të premten, mediat izraelite raportuan se Katari kishte dërguar një "mesazh pozitiv" Izraelit në lidhje me gatishmërinë e Hamasit për të avancuar negociatat për një marrëveshje për të burgosurit.

Gazeta izraelite "Yedioth Ahronoth", duke cituar burime anonime, raportoi të shtunën se "90 për qind e detajeve të mundshme të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve janë rënë dakord".

Shkëmbimi i të burgosurve dhe negociatat për armëpushim, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së, janë ndërprerë disa herë për shkak të kushteve të reja të vendosura nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Opozita izraelite dhe familjet e të burgosurve e akuzojnë Netanyahun për pengimin e përpjekjeve për të arritur armëpushimin në Gaza dhe një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin.

Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza, ku që nga 7 tetori 2023 janë vrarë pothuajse 46.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi në nëntorin e vitit të kaluar urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.

TRT Balkan / agjencitë