Aviokompania japoneze "Japan Airlines" (JAL) njoftoi se një sulm kibernetik ndërpreu sistemet e rrjetit, duke shkaktuar vonesa deri në një orë për 14 fluturime të brendshme dhe duke ndikuar në disa operacione ndërkombëtare.
Sulmi filloi rreth orës 07:25 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke bërë që JAL t'i ndalojë shitjet e biletave për fluturimet vendase dhe për ato ndërkombëtare gjatë ditës.
Biletat e blera tashmë mbeten të vlefshme.
JAL konfirmoi se kishte mbyllur përkohësisht ruterin e komprometuar dhe po punon për ta identifikuar burimin e sulmit.
"Siguria e fluturimeve nuk është prekur", njoftoi linja ajrore, por operacionet si kontrolli i bagazheve dhe hyrjet në aeroplanë u përballën me ndërprerje.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, Departamenti i Policisë Metropolitane të Japonisë po heton incidentin.