Evropa po përballet me mungesë nga 700 deri në 1.000 kontrollorë të trafikut ajror, si pasojë e interesimit të pamjaftueshëm të të rinjve për këtë profesion që karakterizohet me trajnime dhe arsimim të vazhdueshëm, orar jo fleksibël të punës dhe punë jashtë orarit.
Nënkryetari ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Frédéric Dellos, thotë se arsyeja kryesore e mungesës së personelit për kullat e kontrollit të aeroportit është se profesioni kërkon disa vite zhvillim profesional.
Dello thekson se kontrollorët e trafikut ajror kanë nevojë për dy deri në tri vjet trajnim të specializuar për të filluar, gjë që shpesh është një shpenzim i madh për ofruesit e shërbimeve të navigimit ajror.
Një program standard trajnimi për kontrollorët e trafikut ajror, siç është ai i drejtuar nga Eurocontrol, përfshin mësime teorike në universitetet e aviacionit, trajnimin e simulatorëve dhe trajnimin praktik në qendrat e kontrollit. Kandidatët duhet të plotësojnë gjithashtu kritere të tjera strikte, të cilat përfshijnë një nivel të caktuar të aftësisë, dëgjimit dhe shikimit, aftësi në gjuhë angleze dhe matematikë, si dhe të jenë nën 27 vjeç në fillim të trajnimit.
Një problem shtesë me mungesën e stafit në këtë sektor u shkaktua nga pandemia Covid dhe kriza financiare në vitin 2008, e cila rezultoi me anulimin ose shtyrjen e trajnimit të kontrollorëve të trafikut ajror.
“Ka një mungesë të vazhdueshme”, përfundon Dello, duke shtuar se problemi do të përkeqësohet në periudhën e ardhshme kur “një pjesë e madhe” e kontrollorëve aktualë të trafikut ajror në Evropë do të duhet të dalin në pension.
Mungesa e tillë e fuqisë punëtore kompensohet nga rritja e ngarkesës dhe orari i zgjatur i punës, gjë që e bën më tej profesionin më pak tërheqës dhe e bën të vështirë tërheqjen e stafit të ri.
Nuk mund t’u bëjmë presion njerëzve vazhdimisht. Edhe puna jashtë orarit ka kufijtë e saj, sepse ne jemi një profesion me rrezik sigurie. Ne nuk mund të vazhdojmë t’u kërkojmë njerëzve të vijnë në punë pas 12 orësh ose të punojnë gjashtë nga shtatë ditë në javë, kështu që rrezikojmë që ata papritur të anashkalojnë diçka ose të kenë një incident, tha Dello për Politico.
Ai vëren se orari i punës i kontrollorëve të trafikut ajror është “anti-social”.
Kur punoj në ndërrimin e mëngjesit, zgjohem në katër të mëngjesit. Kur kthehem nga ndërrimi i pasdites, arrij në shtëpi në mesnatë, shpjegon Dello.
Gjithashtu, ka një dalje të personelit në këtë sektor nga Evropa drejt vendeve si Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat po zhvillojnë fushata agresive për të tërhequr kontrollorët e trafikut ajror, duke u ofruar atyre paketa tërheqëse angazhimi pune në aeroportet e Lindjes së Mesme.
Si zgjidhje e mundshme për mungesën e personelit, ofrohet centralizimi i aktiviteteve dhe funksionimi i kullave me telekomandë. Ky model është përdorur nga një operator në Skoci që nga viti 2021, i cili reduktoi 11 kullat e mëparshme të kontrollit në të njëjtin numër aeroportesh në disa ishuj skocezë në gjashtë.
Pas këtij shembulli, BE-ja ka siguruar fonde për kërkime në një platformë prototipike që mbulon 15 aeroporte, kullat e të cilave do të kontrollohen nga distanca nga stafi i stacionuar në Lituani dhe Poloni.
Por, ky model nuk u mbështet nga sindikatat, të cilët besojnë se mbart edhe rreziqe sigurie. Sipas Federatës Evropiane të Punëtorëve të Transportit, duke qenë se kjo teknologji është në fillimet e saj, nuk ka asnjë garanci se shërbimi do të mund të ofrohet në rast të motit të keq, dëmtimit të infrastrukturës ose një sulmi kibernetik.
Mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror në të gjithë Evropën po kontribuon në një rritje të vonesave të fluturimeve që po prekin udhëtarët në të gjithë kontinentin dhe i kushtojnë kompanive ajrore miliona euro.