Kancelari gjerman Olaf Scholz të mërkurën mbrojti një politikë "të balancuar" ndaj Kinës, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjeve tregtare me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
“Është e qartë se Kina do të vazhdojë të rritet ekonomikisht dhe marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare të Kinës nuk duhet të pengohen”, tha ai në një konferencë shtypi në Berlin.
“Por, në të njëjtën kohë, ka çështje sigurie që duhet të merren parasysh. Siguria ushtarake është një çështje, dhe çështje të tjera hyjnë gjithashtu në lojë. Dhe duhet të vendosni një ekuilibër këtu,” shtoi ai.
I pyetur për Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të qeverisë gjermane dhe deklaratat e formuluara me kujdes për Kinën në këtë dokument, Scholz mbrojti qasjen e moderuar të qeverisë së tij.
“Ne nuk duam shkëputje, duam shkëputje nga rreziku”, theksoi ai dhe tha se kjo perspektivë është pasqyruar në dokument.
“Kjo është bërë një gjuhë e përbashkët që ne e përdorim rregullisht brenda G-7, brenda Bashkimit Evropian. Dhe ne i kemi përdorur këto terma edhe shumë më herët, sepse kjo është me të vërtetë perspektiva jonë”, tha ai.
Scholz argumentoi se Gjermania duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Kinën, duke reduktuar varësitë e njëanshme.
Kina edhe rivale, edhe partnere
Dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të qeverisë gjermane, i cili u publikua të mërkurën, e përshkruan Kinën si një partner dhe një rival sistematik.
Dokumenti ngriti shqetësime për politikën e jashtme gjithnjë e më kategorike të Kinës dhe theksoi se disa nga veprimet e Pekinit kanë qenë në kundërshtim me interesat dhe vlerat perëndimore.
Por, gjithashtu nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit me Kinën në fushat me interes të përbashkët.
“Ne shohim se elementët e rivalitetit dhe konkurrencës janë rritur vitet e fundit, por në të njëjtën kohë Kina mbetet një partner pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë nga sfidat më urgjente globale,” pohon qeveria.