Mike Waltz, i emëruar nga presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, si këshilltar për sigurinë kombëtare, tha se ushtria amerikane nuk duhet të qëndrojë në Siri, duke përmendur nevojën për të shmangur përfshirjen e zgjatur në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për mediat amerikane dje, Waltz komentoi çështjet kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë situatën në Siri, situatën e pengjeve amerikano-izraelite në Rripin e Gazës dhe ambiciet bërthamore të Iranit.
Ai theksoi se shqetësimet kryesore të ShBA-së në Siri përfshijnë kërcënimin e paraqitur nga terroristët e DAESh-it dhe sigurimin e kufijve të Izraelit.
“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë. Mandati i tij ishte kryesisht që të mos na tërhiqte në luftërat e Lindjes së Mesme. Ne nuk kemi nevojë për çizmet amerikane që qarkullojnë në Siri në asnjë mënyrë apo formë. Por, ne po shikojmë këto gjëra, DAESh-in, kufirin e Izraelit dhe disa nga dinamikat më të gjera me aleatët tanë të Gjirit”, tha Waltz.
Sa i përket Iranit, Waltz theksoi rëndësinë e parandalimit të Teheranit nga marrja e armëve bërthamore.
"Nëse Irani merr një bombë bërthamore, sauditët do të duan një bombë bërthamore, turqit do të duan një bombë bërthamore," pohoi Waltz.
Lidhur me situatën në Rripin e Gazës, Waltz tha se Hamasi është më i izoluar se kurrë dhe bëri thirrje për lirimin e pengjeve amerikano-izraelite.
“Hamasi ka bllokuar të gjitha daljet përveç njërës, dhe kjo është të lirojë pengjet tanë nëse duan të jetojnë”, tha Waltz.
Ai gjithashtu njoftoi se lëvizja Houthi në Jemenin e shkatërruar nga lufta do të cilësohej një organizatë terroriste kur Trump të marrë detyrën.
Waltz vlerësoi gjithashtu operacionet e fshehta të Izraelit që synonin pajisjet e komunikimit të Hezbollahut në Liban.