Kina: Evropa në gjakderdhje, ShBA pasurohet mbi krizën e Ukrainës.     Foto: AA

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten se kanë interes nga kriza në Ukrainë, përderisa Evropa përballet me inflacion dhe krizë energjetike gjatë dimrit.

“ShBA-ja u pasurua mbi krizën e Ukrainës, përderisa Evropa gjakoset dhe paguan shuma më të larta për energjinë për shkak të inflacionit”, tha Zhao Lijan, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ai komentoi ligjin amerikan për uljen e inflacionit, duke theksuar se ShBA-ja e ka sjellë atë “për interesat e saj, duke injoruar ndikimin në vendet e tjera, përfshirë të ashtuquajturit aleatë dhe partnerë të saj”.

“Ky është një tjetër shembull e hegjemonisë ‘Amerika e para’”, tha Zhao, siç citohet nga media shtetërore Global Times.

Liderët evropianë janë ankuar për pakon që ofron subvencione të mëdha për produktet që prodhohen në ShBA, që mund të sjellë në situatë të palakmueshme kompanitë joamerikane dhe të kthehet në goditje për ekonomitë e tyre, ndërkohë që kontinenti përballet me pasojat e luftës ruse kundër Ukrainës të nisur në shkurt.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili të enjten takoi homologun amerikan Joe Biden, tha se ligji për uljen e inflacionit është “superagresiv” ndaj kompanive evropiane.

Kina nuk e përkrahur drejtpërdrejt Rusinë në fushatën luftarake, por dy vendet kanë shpallur partneritet pa kufizime.

Perëndimi ndërkohë ka vendosur sanksione të paprecedenta ndaj Moskës dhe ka mbështetur Kievin me përkrahje financiare, humanitare dhe ushtarake në mbrojtje kundër “agresionit” rus.

Përveç tensioneve gjeopolitike, krizës energjetike evropiane dhe inflacionit, lufta ka shkaktuar një numër të madh viktimash.

AA