Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut filloi të shtunën procesin e shqyrtimit të vendimit parlamentar për shkarkimin e Presidentit Yoon Suk Yeol për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme.
"Jung Chung-rae, kryetar i Komitetit Legjislativ dhe Gjyqësor të Asamblesë Kombëtare, paraqiti një rezolutë për shkarkimin në gjykatë dhe ushtruesi i detyrës së shefit Moon Hyung-bae thirri një takim të gjyqtarëve të hënën," njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Moon premtoi të zhvillonte një gjyq "të shpejtë dhe të drejtë" dhe vendosi të zgjidhte dy gjyqtarë për të mbikëqyrur provat dhe për të formuar një grup pune për shqyrtimin ligjor.
Më herët të shtunën, parlamenti i Koresë së Jugut ka pezulluar presidentin Yoon Suk Yeol nga detyra, pasi miratoi kërkesën për shkarkimin e tij për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Për shkarkimin votuan 204 deputetë, ndërsa pragu minimal për marrjen e një vendimi është 200 vota në parlamentin 300 deputetësh”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Bëhet fjalë për kërkesën e dytë për shkarkimin e presidentit, të cilën e ka paraqitur një bllok prej gjashtë partish opozitare kundër Yoosit, ndërsa kërkesa e parë nuk mori mbështetje të mjaftueshme në parlament javën e kaluar.
Sipas kushtetutës së Koresë së Jugut, kryeministri aktual Han Duck Soo do të marrë detyrën nga Yoon derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë se shkarkimi i Yoon është i justifikuar.