Në takim është diskutuar edhe për kufizimin e temperaturës maksimale në 19 gradë, ndërsa nëse ndokujt i vije shumë ftohtë, do të lejohet të punojë nga shtëpia, raporton portali Business Insider .     Foto: AA

Qeveria gjermane po shqyrton mundësinë që nëpunësit civilë të punojnë nga shtëpia gjatë dimrit, për shkak të përkeqësimit të krizës energjetike, theksohet në raportimin e sotëm të Business Insider.
Sipas Business Insider, në takimin e fundit të ministrisë federale, një nga propozimet ishte puna e detyrueshme nga shtëpia për nëpunësit civilë gjatë dimrit, ndërsa shumica e ministrive thuhet se ishin kundër këtij plani.
Një nga vërejtjet kryesore ishte se shërbimi civil nuk ka mjaftueshëm laptopë dhe celularë për punën e të gjithë punonjësve.
Në takim është diskutuar edhe për kufizimin e temperaturës maksimale në 19 gradë, ndërsa nëse ndokujt i vjen shumë ftohtë, do të lejohet të punojë nga shtëpia, raporton portali.
Planet për masat e kursimit të energjisë në ndërtesat publike po zbatohen me sugjerim të ministrit të Ekonomisë dhe të Energjetikës, Robert Habek.
Qeveria gjermane planifikon të kursejë diç më pak se 20 teravat-orë (TWh) gaz në vit duke ulur temperaturat e dhomës për të reduktuar konsumin e gazit në Gjermani me rreth dy për qind, thuhet në artikull.
Gjermania, së bashku me shumë vende evropiane, po përballet me mungesë energjie pasi Rusia shkurtoi ndjeshëm furnizimet me gaz natyror në Evropë si kundërpërgjigje të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për luftën kundër Ukrainës.
Kompania ruse e energjisë Gazprom njoftoi së fundmi se dërgesat e gazit natyror nga gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 në Evropë janë pezulluar për një kohë të pacaktuar.
Zyrtarët rusë pretendojnë se sanksionet perëndimore po pengojnë punën e mirëmbajtjes në turbinat. Politikanët gjermanë, megjithatë, akuzuan Moskën se po përdor gazin si armë për të ushtruar presion ndaj Berlinit.
Për t’u përgatitur për dimër, qeveria e koalicionit të kancelarit gjerman Olaf Scholz prezantoi një paketë masash për të ulur konsumin e energjisë me 20 për qind dhe urdhëroi që objektet e depozitimit të gazit të mbusheshin 95 për qind deri më 1 nëntor.

AA