Kryediplomati kinez: Kriza humanitare në Gaza një turp për qytetërimin.    /Foto: AA

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, në lidhje me krizën humanitare në Rripin e Gazës, tha se "dështimi për të parandaluar këtë krizë humanitare në shekullin XXI është tragjedi për njerëzimin dhe turp për qytetërimin".

Wang po fliste në një konferencë shtypi të titulluar "Politika e Jashtme dhe Marrëdhëniet e Jashtme të Kinës", e cila u mbajt në kryeqytetin Pekin si pjesë e Asamblesë së Përgjithshme vjetore të Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës.

Ai vuri në dukje se sulmet e vazhdueshme të Izraelit kanë shkaktuar tashmë më shumë se 100.000 viktima dhe plagosje civile dhe se njerëz të panumërt të pafajshëm qëndrojnë të varrosur nën rrënoja.

"Dështimi për të parandaluar këtë krizë humanitare në shekullin XXI është tragjedi për njerëzimin dhe turp për qytetërimin. Asgjë nuk mund të justifikojë zgjatjen e këtij konflikti ose vrasjen e civilëve," tha Wang.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime për të shpallur një armëpushim të menjëhershëm dhe e sheh ofrimin e ndihmës humanitare si një detyrim moral.

"Njerëzit në Gaza gjithashtu kanë të drejtë të jetojnë në këtë botë. Gratë dhe fëmijët meritojnë të jenë të sigurt me familjet e tyre. Të gjitha pengjet duhet të lirohen. Të gjitha veprimet që dëmtojnë civilët duhet të ndalen”, tha Wang.

Wang tha se beson se pushtimi i gjatë i territoreve palestineze është një situatë që nuk mund të injorohet më. Kryediplomati kinez tha se zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë për të thyer rrethin vicioz të konfliktit, për të eliminuar terrenin për ideologjitë ekstremiste dhe për të siguruar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Mes të tjerash theksoi se Kina mbështet anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara dhe u bëri thirrje "anëtarëve të caktuar të Këshillit të Sigurimit" të mos e pengojnë këtë çështje.

TRT Balkan / agjencitë