Rekord i ri i rasteve të Covidit në Kinë, protesta kundër kufizimeve.     Foto: Reuters

Kina ka regjistruar një tjetër rekord të rasteve të infektimit me Covid-19, pas një fundjave me protesta në mbarë vendin kundër kufizimeve lidhur me koronavirusin, me skena të paprecedenta që kur Xi Jinping erdhi në pushtet para një dekade.

Të hënën Kina raportoi rekordin e pestë me radhë të rasteve të reja ditore me 40.052 raste, krahasuar me 39.506 një ditë më parë.

Mega-qytetet si Guangzhou dhe Chongqing, me mijëra raste, po përpiqen të parandalojnë shpërthimin e pandemisë, ndërsa qindar infektime të reja janë regjistruar në disa qytete në mbarë vendin të dielën.

Në Shangai u përplasën demonstrantët me policinë, ndërsa u arrestuan dhjetëra protestues. BBC-ja lajmëroi se policia arrestoi një prej gazetarëve të saj që po mbulonte ngjarjen dhe e liroi atë pas disa orësh.

Bursa dhe nafta ranë ndjeshëm të hënën pasi protestat e rralla ngritën shqetësimet për menaxhimin e politikës së Kinës për “zero-Covid” dhe ndikimin e saj në ekonominë e dytë botërore për nga madhësia.

Gjatë fundjavës, protestuesit në disa qytete, përfshirë Wuhan dhe Lanzhou, përmbysën objektet e testimit për Covid. Studentët u mblodhën në kampuse në mbarë Kinën në aksione që u nxitën nga zemërimi për një zjarr në një apartament në fund të javës së kaluar në qytetin Urumqi të Rajonit Autonom Ujgur Xinjiang që vrau 10 njerëz.

Zjarri vdekjeprurës nxiti spekulimet se kufizimet e Covidit në qytet penguan shpëtimin dhe ikjen, gjë që u mohua nga autoritetet. Pjesë të këtij qyteti ishin në karantinë për 100 ditë.

Turmat e njerëzve në Urumqi dolën në rrugë të premten mbrëma me thirrje “hiqeni karantinën!”, sipas disa videove të paverifikuara në rrjetet sociale.

"Nuk duam teste Covidi"

Në Pekin, turma të mëdha u mblodhën pas mesnatë të dielën në protesta paqësore por shpesh të pasionuara.

Në orët e hershme të së hënës, një grup brohoriste “nuk duam teste Covidi, duam liri”, derisa valëvisnin fleta të bardha letre, që u bënë simbol i protestave në Kinë ditëve të fundit.

Veturat që kalonin pranë bashkëngjiteshin duke i rënë borisë dhe duke përkrahur protestuesit.

Protestuesit u përcollën nga dhjetëra oficerë policie me uniformë, me personel sigurie me rroba civile mes turmës dhe makina të policisë që lëviznin aty pranë.

Një zyrtar që tha se është kreu i departamentit policor të Pekinit erdhi të flasë personalisht me disa protestues, me një autoparlant duke bindur ata të shkojnë në shtëpi.

“Ju të rinj, duhet të shkoni në shtëpi tani. Po e ndikoni trafikun duke qëndruar në rrugë”, tha ai.

Kina ka vendosur politikën “zero-Covid” edhe pse pjesa më e madhe e botës ka hequr shumicën e kufizimeve.

Më herët gjatë nëntorit, Kina u përpoq t'i bënte kufizimet më të targetuara dhe më pak të rrepta, duke nxitur spekulime se së shpejti do të fillojë të lëvizë drejt rihapjes së plotë, por një rikthim i rasteve ka penguar shpresat e investitorëve për lehtësim të konsiderueshëm së shpejti.

Shumë analistë thonë se Kina nuk do të fillojë rihapjen para marsit ose prillit më së herti, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se Kina duhet të përpiqet edhe për vaksinimin e popullsisë.

TRT World