Kuleba: Trump nuk mund të ndërmjetësojë marrëveshjen e paqes Moskë-Kiev / Photo: AA

Ish-ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, ka theksuar se ai beson se presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, nuk mund të ndërmjetësojë një marrëveshje të paqes midis Moskës dhe Kievit.

Duke folur për ‘Politico’, Kuleba argumentoi se presidenti rus, Vlladimir Putin, nuk do të pajtohet me një marrëveshje të paqes, sepse ai beson se Rusia mund t'i arrijë objektivat në kuadër të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë, i cili javën e kaluar shënoi ditën e tij të 1.000-të.

“Putini akoma beson se mund t’i japë fund shtetësisë ukrainase dhe të dërrmojë Ukrainën si një demokraci e pavarur dhe ai mendon se është një hap larg ekspozimit të Perëndimit si të dobët”, tha Kuleba.

Më tej, ish-shefi i diplomacisë ukrainase argumentoi se Ukrainë nuk është vetëm një “obsesion personal” për presidentin rus, por gjithashtu është një mjet për të përmbushur qëllimin e tij më të gjerë për t’i “treguar botës se si Perëndimi është i paaftë të mbrothet ose çfarë përfaqëson”.

Ai tha se një nga shqetësimet e tij më të mëdha është ndalimi i mundshëm i armëve dhe municioneve nga Trump për Kievin, gjë që sipas tij, do të çonte në një kolaps të vijës së frontit në Ukrainën lindore.

Si do të reagojë Bashkimi Evropian (BE) ndaj ndalimit të mundshëm të armëve nga Trump për Ukrainën, theksoi Kuleba, do të jetë “vendimtare”. Ai shtoi se blloku evropian mund të ndjekë politikën e Trumpit ose “të pranojë faktin se duhet të mbajnë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë”.

Kuleba gjithashtu mohoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mund të nënshkruajë një marrëveshje që përfshin dorëzimin e territorit te Rusia, jo vetëm për shkak të kushtetutës së vendit, por edhe sepse kjo do të nënkuptojë “fundin e Zelenskyyt politikisht”.

Ish-ministri ukrainas gjithashtu tha se ai mendon se përshkallëzimi i fundit në luftën Rusi-Ukrainë do të vazhdojë, duke përcjellë edhe zhgënjimin e tij pasi shumë në Perëndim nuk e kanë kuptuar rëndësinë e konfliktit dhe pasojat e tij.

“Nëse më pyesni se cili ishte gabimi më i madh i Perëndimit në vitin e kaluar, do të thoja denoncimin e ashpër publik nga liderët evropianë të propozimit të (presidentit francez) Emmanuel Macron për të dërguar trupa në Ukrainë”, tha Kuleba.

TRT Balkan / agjencitë