Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha të hënën se linja politike e ShBA-së dhe NATO-s për konfrontim me Rusinë, paraqet rrezik për “përleshje të drejtpërdrejtë të fuqive bërthamore, me pasoja katastrofike”.
“Në kontekstin e përpjekjeve të Perëndimit për të frenuar Rusinë, linja e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në përgjithësi për një konfrontim ushtarak me ne përbën një kërcënim serioz. Natyrisht, kjo nënkupton një përplasje të drejtpërdrejtë të fuqive bërthamore me pasoja katastrofike”, tha Lavrov në një video fjalin gjatë një konference në Moskë.
Lavrov shtoi më tej se Perëndimi i shtrembëron me qëllim të keq paralajmërimet e Rusisë dhe e akuzon Rusinë për “retorikë kërcënuese”.
“Duke e shfrytëzuar këtë rast, dua të konfirmoj se pala ruse është e përkushtuar ndaj logjikës së mirëkuptimit të përfshirë në dokumentet e përbashkëta të pesë vendeve bërthamore”, tha Lavrov.
Kryediplomati rus gjithashtu shprehu keqardhjen që dialogu strategjik mes Rusisë dhe ShBA-së po mbahet i ngrirë nga Washingtoni, dhe tha se mungesa e bisedimeve për të ruajtur stabilitetin mund të akumulojë problemet.
“Për shkak se nuk ka vullnet nga ShBA-ja që të ndërmarrë hapa konstruktivë ndaj Koresë së Veriut, nuk ka përparim për zgjidhjen e situatës rreth gadishullit korean”, theksoi Lavrov.
Ai shtoi gjithashtu se përpjekjet e NATO-s për të riformatuar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike sipas interesit të vet, është shqetësim serioz.