Sipas organizatës kryesore federale të grumbullimit të ushqimeve "Tafel Deutschland", në krahasim me vitin e kaluar kërkesa është rritur me më shumë se 2 milionë njerëz që tani mbështeten në donacionet ushqimore.     Foto:  Tafel Deutschland/Facebook

Gjithnjë e më shumë gjermanë po kërkojnë ndihmë nga organizatat e grumbullimit të ushqimeve dhe ato bëmirëse për shkak të inflacionit rekord dhe rritjes së faturave të energjisë.
Sipas organizatës kryesore federale të grumbullimit të ushqimeve "Tafel Deutschland", në krahasim me vitin e kaluar kërkesa është rritur me më shumë se 2 milionë njerëz që tani mbështeten në donacionet ushqimore, duke vizituar organizatat e grumbullimit të ushqimeve dhe shoqatat bamirëse lokale.
Heike Bensch (41), nënë e pesë fëmijëve, është ndër ata që marrin ndihmë nga një shoqatë bamirëse lokale në Berlin. Bensch thotë se edhe pse ka një punë, ajo është duke luftuar për të paguar faturat.
“Punoj si pastruese katër orë në ditë. Por, është e vështirë të sigurosh bukën e gojës sepse gjithçka po bëhet më e shtrenjtë. Mund ta shihni në çmimet e ushqimeve”, tha ajo për Anadolu Agency (AA).
“Ne e dimë se energjia elektrike po shtrenjtohet. Tashmë po paguajmë pak më shumë dhe jemi detyruar të blejmë më pak ushqim tani. Sidomos për fëmijët nuk mund të blejmë asgjë. Gjithashtu rritjen e çmimeve mund ta vëreni edhe në materialet shkollore", tha Bensch.
Së bashku me të ardhurat për fëmijët dhe pagën e saj, ajo merr në total 2.000 euro në muaj për të jetuar dhe për t'u kujdesur për pesë fëmijët e saj.
Në pamundësi për ta përballuar barrën e rëndë, Bensch viziton rregullisht shoqatat e bamirësisë "Die Arche" në Berlin për të marrë mbështetje, veçanërisht për fëmijët e saj.
Kriza aktuale e energjisë në Gjermani dhe rritja e faturave e kanë bërë jetën më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta.
“Kur errësohet pak në mbrëmje, ne përpiqemi të mos i ndezim dritat menjëherë ose përpiqemi të kursejmë energjinë elektrike në mënyra të tjera”, tha ajo. “Kur të bëhet më ftohtë tani, nuk do ta ndezim ngrohjen. Në vend të kësaj do të veshim një pulovër”, tha Bensch.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe tensionet në rritje midis vendeve evropiane dhe Moskës kanë rritur çmimet e energjisë.
Sipas Zyrës gjermane të statistikave, çmimet e energjisë janë rritur me 43.9 për qind në shtator krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjithashtu është regjistruar rritje edhe mbi mesataren e çmimeve të ushqimeve me 18.7 për qind.
Familjet do të duhet të paguajnë rreth 3.500 euro për gaz gjatë këtij dimri, gati trefishi i asaj që kanë paguar vitin e kaluar, sipas vlerësimeve.
Bensch shprehu zhgënjimin me qeverinë e koalicionit gjerman për mosmarrjen e masave serioze për të mbështetur familjet me të ardhura të ulëta në vend.
“Unë e kuptoj që ata ndihmojnë edhe vendet e tjera. Por, për vendin e tyre, ata nuk bëjnë asgjë”, tha ajo.
Sondazhet e fundit tregojnë se gjermanët janë thellësisht të shqetësuar për krizën energjetike dhe rritjen e inflacionit, më shumë se lufta në Ukrainë.
Në studimin e fundit të kompanisë anketuese "Civey" thuhet se kriza energjetike aktualisht është shqetësimi numër një i gjermanëve, me 68 për qind, e ndjekur nga inflacioni në 64 për qind dhe lufta me 55 për qind.

AA