Ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian (PE), Eva Kaili, është liruar nga burgu, raportojnë mediat lokale të mërkurën.
Megjithatë, Kaili u lirua me një byzylyk elektronik për vëzhgim, sipas transmetuesit publik ERT.
"Ajo po largohet nga burgu me kokën lart dhe me dinjitet", tha avokati i saj Michalis Dimitrakopoulos, duke shtuar se Kaili nuk ka pranuar krimet që nuk i ka bërë dhe do të luftojë për pafajësinë e saj deri në fund.
BE-ja është tronditur nga një prej skandaleve më të mëdha korruptive në historinë e saj pas arrestimit të eurodeputetes greke Kaili më 9 dhjetor nga policia belge me akuza për korrupsion.
Kaili, 44-vjeçe, nga partia e qendrës së majtë greke PASOK-KINAL dhe një nga 14 nënkryetarët e PE-së, u arrestua pas bastisjes në shtëpinë e saj me akuza për korrupsion që dyshohet se përfshin Katarin, i cili akuzohej se kishte paguar Kailin për të lobuar për interesat e shtetit të Gjirit.
Gjatë dhjetëra bastisjeve në shtëpitë dhe zyrat e saj, policia belge sekuestroi 1,5 milionë euro (1,62 milionë dollarë) para të gatshme. Përveç kësaj, për të mbrojtur të dhëna të rëndësishme u konfiskuan edhe kompjuterët parlamentarë.
Të arrestuarit, përkrah Kailit, përfshinin gjithashtu deputetin italian të PE-së Pier Antonio Panzeri, partnerin e Kailit Francesco Giorgi, i cili punoi si asistent në PE dhe Niccolo Figa-Talamanca, drejtori i organizatës joqeveritare që punon për sundimin e ligjit.