Mesatarisht, meshkujt fitojnë 13 për qind më shumë se femrat në Norvegji / Photo: AA

Ministrja e Barazisë e Norvegjisë, Lubna Jaffery, tha të enjten se e sheh "plotësisht të papranueshme" që meshkujt të fitojnë mesatarisht 13 për qind më shumë se femrat në vend.

Ajo po reagonte ndaj një raporti të qeverisë që theksonte se dallimi i pagave në Norvegji ekziston ende. Përfundimi i raportit, i cili mbulon periudhën 2015-2022, ishte në të njëjtin nivel me shifrat në Bashkimin Evropian, ku Norvegjia nuk është anëtare.

Sipas të dhënave nga Komisioni Evropian, hendeku gjinor i pagave në BE-në 27-anëtare ishte 12,7 për qind në vitin 2021 dhe ka ndryshuar vetëm minimalisht në dekadën e fundit.

Raporti, i porositur nga Ministria e Kulturës dhe i Barazisë i Norvegjisë dhe i publikuar të enjten, thotë se ka pasur pak ndryshim në dallimin e pagave midis grave dhe burrave që bëjnë të njëjtën punë që nga viti 2015.

“Më duket krejtësisht e papranueshme që gratë dhe burrat që kanë të njëjtën punë, të njëjtën përvojë dhe të njëjtat kompetenca, të përfundojnë me paga të ndryshme”, tha Jaffery për agjencinë norvegjeze të lajmeve NTB.

Raporti i Institutit për Kërkime Sociale arriti në përfundimin se gratë që punojnë në të njëjtin sektor, industri dhe profesion, me të njëjtën kohëzgjatje arsimimi, përvojë dhe ngarkesë të ngjashme të punës, fitojnë tetë për qind më pak se burrat.

Nëse gratë kanë të njëjtin titull profesional dhe punëdhënës, ato fitojnë gjashtë për qind më pak se burrat.

"Një shpjegim i rëndësishëm është se burrat dhe gratë punojnë në pjesë të ndryshme të tregut të punës me nivele të ndryshme pagash. Ne tregojmë se si hendeku i pagave ndryshon midis sektorëve, industrive, grupeve arsimore, profesioneve dhe rajoneve të tregut të punës," thuhet në raportin norvegjez prej 122 faqesh.

Norvegjia, një vend me 5,6 milionë banorë, shpesh përshkruhet si një lider ndërkombëtar për sa i përket barazisë gjinore dhe standardeve të jetesës.

Sipas të dhënave zyrtare norvegjeze, rreth 70 për qind e femrave marrin pjesë në fuqinë punëtore..

AA