Ministria ruse e Mbrojtjes: Grupi Wagner përfundoi me dorëzimin e armëve.     /Foto: Reuters

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të mërkurën se përfaqësuesit e grupit paraushtarak Wagner janë duke përfunduar transferimin e armëve, pajisjeve ushtarake dhe municioneve për forcat e armatosura.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov tha se grupi mercenar ka kthyer tashmë 2.000 pajisje ushtarake, 20.000 armë të vogla dhe 2,5 tonë municione.

Konashenkov tha se luftëtarët Wagner kishin në dispozicion tanke, sisteme raketash dhe lloje të ndryshme të pajisjeve të artilerisë, sisteme antitank dhe mjete transporti.

"Ndër pajisjet e transferuara, dhjetëra njësi nuk janë përdorur kurrë në kushte luftarake," theksoi ai.

Të gjitha pajisjet dhe armët po dërgohen në zonat e pasme, ku njësitë e riparimit dhe restaurimit të forcave të armatosura ruse po kryejnë mirëmbajtjen dhe trajnimin për përdorim për qëllimin e tyre të synuar, tha ai.

Më 24 qershor, udhëheqësi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, akuzoi Ministrinë ruse të Mbrojtjes për sulmin ndaj luftëtarëve të grupit, shpalli një "Marshim të Drejtësisë" dhe u nis drejt Moskës.

Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e cilësoi veprimin e grupit "një rebelim të armatosur" dhe hapi një çështje penale kundër Prigozhin, ndërsa presidenti Vlladimir Putin e quajti kryengritjen e kompanisë private ushtarake një akt "tradhtie".

Prigozhin, megjithatë, më vonë u kthye "për të shmangur gjakderdhjen" dhe që atëherë është zhvendosur në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti Aleksandar Llukashenko.

TRT Balkan / agjencitë