Moska shpreson se "sinjali" ndaj Perëndimit "të merret seriozisht" / Photo: AA

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha në një intervistë të transmetuar të enjten vonë se Moska shpreson se "sinjali" i saj për Perëndimin me përdorimin e raketës së saj balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik "të merret seriozisht".

“Ne nuk duam ta përkeqësojmë situatën (në Ukrainë), por duke qenë se ATACMS-ja dhe armë të tjera me rreze të gjatë po përdoren kundër Rusisë, ne po dërgojmë sinjale. Shpresojmë që i fundit, disa javë më parë, sinjali me sistemin e ri të armëve të quajtur Oreshnik, të merret seriozisht”, tha Lavrov gjatë një interviste me gazetarin amerikan Tucker Carlson në Moskë.

Duke thënë se Ukraina nuk do të ishte në gjendje të përdorte armët e saj me rreze të gjatë pa "pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë" të ushtarakëve amerikanë, ai e përkufizoi situatën si "të rrezikshme" dhe se "sinjali" i saj për Perëndimin duhet të përcjellë mesazhin se Moska do të jetë gati të përdorë "çdo mjet" për të parandaluar një "humbje strategjike" të Rusisë.

“Mesazhi që ne donim të dërgonim duke testuar në veprim real këtë sistem hipersonik është se ne do të jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat tona legjitime. Ne e urrejmë të mendojmë edhe për luftën me Shtetet e Bashkuara, e cila do të marrë një karakter bërthamor”, tha Lavrov.

Më 21 nëntor, presidenti rus Vlladimir Putin tha se vendi i tij goditi një fabrikë në qytetin ukrainas Dnipro duke përdorur një raketë balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik në përgjigje të përdorimit të armëve perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga Kievi në territorin rus.

Lavrov tha më tej se ekzistojnë disa kanale për dialog midis Moskës dhe Uashingtonit, në të cilat ai tha se ShBA-ja po përsërit thirrjet e saj publike për pranimin e propozimeve të paqes të Ukrainës nga Rusia. Duke komentuar kushtet që Rusia do të pranonte për të arritur paqen në Ukrainë, Lavrov tha se Moska është e gatshme të negociojë në bazë të parimeve për të cilat u ra dakord gjatë bisedimeve në Istanbul në prill 2022.

Ai theksoi se "parimi kryesor" për ta është që Ukraina të mos bëhet pjesë e një blloku të caktuar, përfshirë NATO-n. “Jo NATO. Absolutisht. Asnjë bazë ushtarake, asnjë stërvitje ushtarake në tokën ukrainase me pjesëmarrjen e trupave të huaja”, tha Lavrov.

Lavrov tha gjithashtu se NATO-ja, nën administrimin e presidentit amerikan Joe Biden, po kërkon të zgjerohet në Euroazi dhe po lëviz infrastrukturën e saj. Ai gjithashtu akuzoi administratën e Biden se dëshiron t'i "lërë një trashëgimi administratës Trump sa më keq që të mundej".

Duke folur për presidentin e sapozgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, Lavrov e përshkroi presidentin e ardhshëm si një person "shumë të fortë" dhe një person që "dëshiron rezultate".

“Kjo është përshtypja ime. Ai është shumë miqësor në diskutime. Por, kjo nuk do të thotë se ai është pro-rus siç disa njerëz përpiqen ta paraqesin atë. Sasia e sanksioneve që morëm nën administratën Trump ishte shumë e madhe”, tha ai.

Ai shtoi se Rusia respekton zgjedhjen e popullit amerikan gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të mbajtura muajin e kaluar dhe se Moska është e hapur për kontakte me Trump pas inaugurimit të tij.

TRT Balkan / agjencitë