Në kuadër të festimeve të 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, në Shkup u mbajt simpozium me temë “Gjuha dhe kultura turke në Ballkan”.
Në simpoziumin e organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSITEB) nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, përfaqësues të partive politike turke dhe mysafirë të shumtë.
Duke folur në hapjen e simpoziumit, ambasadori Ulusoy vuri në dukje se transferimi i njohurive dhe përvojave për përpjekjet për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës turke në Ballkan është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Ne mund të ruajmë identitetin, traditën dhe kulturën tonë vetëm kur mësojmë dhe ua mësojmë të tjerëve gjuhën tonë siç duhet”, tha ambasadori, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e simpoziumit.
Duke theksuar se departamentet e turkologjisë në Ballkan kontribuojnë në njohjen e duhur të gjuhës, kulturës dhe letërsisë turke, Ulusoy tha: “Ne i mbështesim këto studime me aq sa mundemi. Ne patjetër do të vazhdojmë punën tonë për të siguruar që gjuha dhe kultura jonë të vazhdojnë të ekzistojnë në këto troje”.
“Elementet kulturore të transferuara brez pas brezi dëshmojnë për thellësinë e afërsisë midis Ballkanit dhe Türkiyes”.
Ndërkaq, nënkryetari i TIKA-s, Çevik, kujtoi gjithashtu se marrëdhënia e turqve me Ballkanin është regjistruar që në periudhën e hershme mesjetare, duke shtuar se ndërveprimet dhe marrëdhëniet vazhdojnë ende ta ruajnë vitalitetin e tyre edhe sot.
“Elementet kulturore të transferuara brez pas brezi dëshmojnë për thellësinë e afërsisë midis Ballkanit dhe Türkiyes. Dua të theksoj që gjuha turke dhe kultura turke në tërësi, arti dhe letërsia turke ndikojnë në stilin e jetesës, traditat dhe zakonet e të gjithë popujve në Ballkan”, tha ai.
Kryetari i MATÜSİTEB-it, Tahsin İbrahim, tha se ruajtja e ekzistencës së turqishtes në Ballkan dhe të qenët e turqishtes pjesë e jetës së përditshme dhe përcjellja e saj tek brezat e ardhshëm kërkon përkushtim, vendosmëri dhe dashuri të madhe.
Sesioni i parë i simpoziumit, i cili përbëhej nga dy sesione, u moderua nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Türkiyes, prof. dr. Mustafa Isen, ndërsa sesioni i dytë nga shefi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Universitetin e Prishtinës, prof. dr. Ergin Jable.
Në sesione u diskutuan tema si historia, zhvillimi dhe rëndësia e gjuhës dhe kulturës turke në Ballkan.