Gaza: Ndërpriten plotësisht shërbimet e komunikimit dhe internetit / Photo: AA

Numri i palestinezëve të vrarë në ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës nga Izraeli, i akuzuar për gjenocid, që nga 7 tetori është rritur në 29.410, njoftoi të enjten Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se nga sulmet janë lënduar të paktën 69.465 persona.

“Të paktën 97 persona u vranë dhe 132 u plagosën në sulmet izraelite në 24 orët e fundit”, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se shumë viktima janë ende të bllokuar nën rrënoja e në rrugë dhe se shpëtimtarët nuk po munden t'i arrijnë.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për ta parandaluar gjenocidin.

Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda vendit dhe po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është e dëmtuar ose e shkatërruar.

AA