Nesër do të mbahet takimi i ministrave të Jashtëm i Procesit të Berlinit             / Foto: European Western Balkans

Me ftesë të Ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të martën do të mbahet takimi i 10-të i ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takim do të shënohet dhjetëvjetori i themelimit të Procesit të Berlinit, do të prezantohen rezultatet e arritura dhe progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane, si dhe aktivitetet dhe fushat prioritare për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal që duhet të marrë mbështetje nga niveli më i lartë politik në Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet më 14 tetor 2024 në Berlin.

Puna me të rinjtë dhe projektet e pajtimit do të jenë gjithashtu në fokus.

Procesi i Berlinit është një iniciativë rajonale e nisur nga Republika Federale e Gjermanisë në vitin 2014 me qëllim të ofrimit të mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të integrimit evropian, zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përmirësimit të bashkëpunimit rajonal.

TRT Balkan / agjencitë