Në veri të Sirisë është ndërtuar "Qyteti i Shpresës" nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) dhe Qatar Charity për 1.400 familje që qëndrojnë në kampin e refugjatëve Babusselam në fshatin Tukli në rajonin Azez të Sirisë.
Sipas deklaratës së bërë nga IHH-ja, shumë njerëz që u detyruan të migrojnë në rajone të ndryshme brenda dhe jashtë vendit për shkak të luftës civile në Siri, e cila vazhdon që nga viti 2011, vazhdojnë jetën e tyre në kampet me tenda në veri të vendit dhe në kushte të vështira.
Fondacioni Humanitar IHH, i cili ka ofruar ndihmë humanitare në Siri që nga fillimi i luftës civile, ka zbatuar një projekt të rëndësishëm me Qatar Charity.
"Qyteti i Shpresës" u ndërtua në fshatin Tukli të qytetit Azez-Soran në rajonin verior të Halepit të Sirisë për 1.400 familje që qëndronin në kampin e refugjatëve Babusselam për shkak të luftës civile. Në zonën e banimit të përbërë nga 9 lagje, numërohen gjithsej 1.400 shtëpi, 1.200 prej të cilave nga 50 metra katrorë dhe 200 nga 100 metra katrorë.
Përveç xhamisë, shkollës së vajzave, shkollës së djemve, kopshtit dhe shkollës profesionale, fshati përfshin gjithashtu një qendër arsimore publike, kompleksin sportiv, klinikë, sallën e konferencave, ndërtesën e administratës, komisariatin dhe një treg të përbërë nga 50 dyqane.
Në fshat ka gjithashtu shërbime të energjisë elektrike, ndriçimit, pastrimit dhe ujërave të zeza dhe ky ndodhet në një hapësirë prej 280 dekarë për të plotësuar të gjitha nevojat e familjeve.
Vazhdon procesi i zhvendosjes së familjeve në "Qytetin e Shpresës", që prej vitesh për shkak të luftës civile jetojnë në kampin e refugjatëve në Babusselam në kushte të vështira.
Sekretari i Përgjithshëm i IHH-së, Durmuş Aydın deklaroi se familjet që prej shumë vitesh jetojnë në kampe tendash në kushte të vështira tani kanë një hapësirë jetese me mundësi më të mira në "Qytetin e Shpresës".
Ai tha se është një arsye e veçantë lumturie që projekti ka përfunduar dhe familjet fillojnë të shpërngulen, veçanërisht para sezonit të dimrit. "1.400 familje do të gjejnë shtëpitë e tyre të reja këtu. 'Qyteti i Shpresës' është plotësisht i pajisur me të gjitha gjërat elementare, infrastruktura si rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit, infrastruktura e energjisë elektrike dhe rrugët e asfaltuara", tha Aydın.