Një grup qytetarësh paditën qeverinë gjermane për nivele të larta rrezikshmërie të ndotjes së ajrit.
Qytetarët pohojnë se po shkelet e drejta e tyre për të marrë ajër të pastër dhe të shëndetshëm dhe se qeveria nuk po bën sa duhet për t'i mbrojtur ata, raporton BBC.
Nivelet e ndotjes së ajrit në Gjermani, si në shumë vende të tjera, shpesh tejkalojnë vlerat e dhëna në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndotja e ajrit çdo vit rezulton në vdekjen e parakohshme të shtatë milionë njerëzve në mbarë botën, dhe kjo është hera e parë që individë në Gjermani ndërmarrin një veprim të tillë duke iu referuar ligjeve të të drejtave të njeriut.
Çështja vjen pasi një nga avokatët kryesorë të Bashkimit Evropian tha në maj se qytetarët mund të ndërmarrin hapa të tillë në përpjekje për të marrë kompensim.
Padinë e kanë bërë shtatë prindër, të cilët pretendojnë se shëndeti i tyre është në rrezik dhe politikanët nuk po i mbrojnë.
Një numër prej tyre kanë astmë.
Ata jetojnë në Berlin, Mynih, Frankfurt dhe Dusseldorf, katër nga shtatë qytetet më të mëdha në Gjermani, dhe pretendojnë se thithin ajër me përqindje të ndotjejs katër deri në pesë herë më të larta se kufijtë e pranueshëm të OBSH-së.
"Ndotja e ajrit është një problem që nuk mund ta shihni. Nuk është në kokat e njerëzve, por është një vrasës. Afro 150,000 njerëz ngasin para shtëpisë tonë çdo ditë, është e tmerrshme. Ne ikim nga qyteti sa herë që mundemi," tha Volker. Becker-Battaglia, i cili jeton në Mynih, në një nga rrugët më të ndotura gjermane.
Constanze, nga Dusseldorf, e cila donte të identifikohej vetëm me emrin për të mbrojtur privatësinë e saj, tha se ajo ngriti padi për shëndetin e dy fëmijëve të saj, duke vënë në dukje se ata për shkak të jetesës në qytet "nuk duhet të dënohen me një sëmundje ose të vuajnë pasojat deri në fund të jetës”.
Padia, e cila është depozituar në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë, e cila mbron të drejtat themelore të njeriut, nuk synon dëmshpërblimin financiar, por më tepër për marrjen e disa masave nga autoritetet.
Çdo vendim në favor të tyre do të zbatohej në nivel shtetëror.