Nuk ka më zjarre aktive në zonën e Athinës, autoritetet në gatishmëri.    /Foto: Reuters

Zjarrfikësit grekë njoftuan se nuk ka më zjarre aktive në zonën e gjerë të Athinës, por se autoritetet janë ende në gatishmëri.

Zjarrfikësit do të vazhdojnë të lagin tokën dhe të mbajnë një prani të madhe në zonë, thanë ata.

Disa vende dërguan ndihma. Erërat e qeta dhe përpjekjet e shërbimeve të shpëtimit kontribuan në vënien nën kontroll të zjarrit, raporton BBC-ja.

Më shumë se 700 zjarrfikës me 199 automjete dhe 35 helikopterë dhe avionë luftuan me zjarrin, i cili shpërtheu rreth 35 kilometra në veri të Athinës të dielën.

Të hënën, zjarret shpërthyen në 40 lokacione të ndryshme. Për shkak të erërave të stuhishme dhe temperaturave të larta të ditës, ende ekziston rreziku i zjarreve.

Zjarrfikësit qëndrojnë në vendngjarje dhe kanë lagur tokën. Një grua humbi jetën, kurse dhjetëra njerëz, përfshirë zjarrfikës u plagosën.

Zjarri përfshiu më shumë se 40.000 hektarë, mijëra banorë lokalë u evakuuan.

Autoritetet greke tani po vlerësojnë dëmin dhe po përgatisin një plan kompensimi për banorët dhe bizneset e prekura.

Zonat më të prekura pranë Athinës janë Nea Penteli, Vrilisia dhe Patima Halandriou.

Në Vrilisia, vetëm 14 kilometra nga qendra e Athinës, zjarri shkatërroi ndërtesa banimi dhe ambiente biznesi.

Trupi i një gruaje 63-vjeçare u gjet në një fabrikë të djegur në Patima Halandrio aty pranë. Kolegët e saj thanë se ajo ishte shumë e frikësuar për të kërcyer nga ndërtesa dhe më pas u bllokua brenda nga zjarri.

Pasi BE-ja aktivizoi mekanizmin në fushën e mbrojtjes civile, disa vende evropiane dërguan ndihmë në Greqi në formën e avionëve dhe helikopterëve, personelit dhe ndihma të tjera.

TRT Balkan / agjencitë