Drejtoresha e Departamentit për parandalimin e epidemisë dhe pandemisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Maria Van Kerkhove tha virusi i lisë së majmunit (Mpox) transmetohet përmes kontaktit, duke theksuar se nuk është e njëjtë me COVID-19 që transmetohet përmes ajrit.
Kerkhove dhe lideri i ekipit të menaxhimit të ngjarjeve akute në rajonin afrikan të OBSh-së, Otim Patrick Ramadan, kanë bërë vlerësime për virusin Mpox në programin që ata mbajtën në llogaritë e mediave sociale të OBSH-së.
Kerkhove tha se virusi Mpox nuk është i njëjtë me COVID-19. "Virusi Mpox nuk përhapet ashtu si COVID-19 (përmes ajrit). Prandaj nuk ndodh situatë e njëjtë sikur me COVID-19. Nëse jeni në kontakt me person të infektuar mund të infektoheni me Mpox por kjo nuk nënkupton se çdokush mund të infektohet me virusin", tha ajo.
Sipas saj, përhapja e virusit Mpox mund të parandalohet me informacion dhe praktika të sakta.
Duke treguar se Mpox është virus që është parë edhe më parë, Kerkhove kujtoi se OBSH-ja e shpalli virusin Mpox si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në mënyrë që të mbështesë vendet ku virusi është përhapur dhe të bëjë një përpjekje të përbashkët globale.
I njohur më parë si lia e majmunit, Mpox është sëmundje virale që mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë si dhe përmes materialeve të kontaminuara si çarçafët, veshjet dhe gjilpërat, tha OBSH-ja.