OKB-ja: Ndihma që hyri në Gaza në shkurt ishte gjysma e asaj në janar / Foto: AA

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se në muajin shkurt, në krahasim me muajin e kaluar, ka pasur një rënie prej 50 për qind të sasisë së ndihmave humanitare që hynë në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme intensive nga ushtria izraelite që nga 7 tetori.

Philippe Lazzarini, Komisari i Përgjithshëm i OKB-së për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Mesme (UNRWA), u prononcua në platformën e mediave sociale X në lidhje me mungesën e ushqimit në Gaza.

Lazzarini tha se për t'i dhënë fund krizës ushqimore në Gaza duhet të shpallet një armëpushim dhe të hiqet rrethimi për të lejuar që ndihma të hyjë në rajon.

Duke vënë në dukje se "ndihma humanitare që hyri në Gaza në shkurt u ul me 50 për qind në krahasim me muajin e kaluar", Lazzarini tha: "Për të plotësuar nevojat në rritje të dy milionë palestinezëve në kushte të dëshpëruara jetese, ndihmat duhet të ishin rritur dhe jo ulur".

Deklarata me shkrim nuk jepte informacion se sa ndihma humanitare ka hyrë në Gaza gjatë janarit dhe shkurtit.

Në deklaratën e djeshme, Lazzarini tha se që nga 23 janari nuk kanë mundur të dërgojnë ndihma në veri të Gazës, popullsinë e së cilës Izraeli e la me forcë të uritur.

Për shkak të pengimit nga Izraeli, i cili po gjykohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndihma e mjaftueshme nuk mund t'i dërgohet rajonit. Palestinezët po luftojnë nga njëra anë me sulmet izraelite dhe nga ana tjetër me urinë, e cila po thellohet çdo ditë e më shumë.

Palestinezët që ikin nga sulmet izraelite luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara me burime të kufizuara dhe kushte të vështira.

Palestinezët, të cilët nuk mund të gjejnë as bukë në veri të Gazës, thuhet se po konsumojnë ushqim për kafshët.

TRT Balkan / agjencitë